Shefja e BE-së viziton rajonet e goditura nga përmbytjet në Evropë dhe premton miliarda euro ndihmë
Ndërsa ishte në Wroclaw, Poloni, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, premtoi miliarda euro për rikuperimin nga përmbytjet për vendet e Evropës Qendrore, të cilat pësuan dëme gjatë përmbytjeve të vazhdueshme.
Bëhet e ditur se shefja e BE-së vizitoi një rajon të dëmtuar nga përmbytjet në Poloninë juglindore dhe u takua me krerët e qeverisë së vendeve të prekura – Polonia, Austria, Republika Çeke dhe Sllovakia.
Von der Leyen tha se fondet do të jenë të disponueshme me shpejtësi për riparim nga fondi i solidaritetit të BE-së, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
“Këto janë kohë të jashtëzakonshme dhe kohët e jashtëzakonshme kanë nevojë për masa të jashtëzakonshme. Në pamje të parë, 10 miliardë euro mund të mobilizohen nga fondet e kohezionit për vendet që preken. Ky është një reagim urgjent tani”, tha von der Leyen.
Normalisht, vendeve të BE-së u kërkohet të bashkëfinancojnë projekte për të pasur qasje në financimin e kohezionit.
Ndryshe, shtëpitë janë shkatërruar dhe disa njerëz kanë vdekur si pasojë e përmbytjeve në të gjithë rajonin.