Sektori i turizmit ka nevojë për 20 mijë punonjës
Tiranë, 9 maj medial.mk/ – Në prag të sezonit turistik veror, me vizitorë që shtohen nga viti në vit, Shqipëria përballet me sfida në këtë sektor. Më kryesorja janë burimet njerëzore, pasi ekspertët thonë se duhen afro 20 mijë punonjës, kryesisht të kualifikuar.
“Një nga ato që kemi përmendur më shpesh dhe që ka ardhur duke u agravuar janë burimet njerëzore, fuqia punëtore, e cila nga viti në vit me punonjës vendas po vjen duke u ulur, dhe po zëvendësohet nga jashtë. Duhen rreth 20 mijë veta që të punësohen direkt dhe indirekt në sektorin e turizmit”, thotë kreu i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa.
“Sfidat kryesore janë të përqendruara tek stafi i kualifikuar dhe diversifikimi i ofertës. Duhet të jemi në hartën botërore të turizmit. Ne tashmë jemi në hartën e turizmit në Europë”, shprehet eksperti për çështjet e turizmit, Isa Krasniqi.
Edhe pse nevojat po plotësohen me punonjës të huaj, ekspertët thonë se menaxherët duhet të jenë shqiptarë.
“Por stafi i menaxhimit duhet të jetë shqiptar, edhe këta po i marrim nga jashtë”, thotë Kasa.
E pozicionuar tashmë në hartën e turizmit europian, Shqipëria sipas ekspertëve duhet të investojë më shumë edhe në përmirësimin e disa shërbimeve që lidhen drejtpërdrejt me turizmin.
“Sfidat e brendshme i ka në dorë sektori privat dhe shteti. Duhet të përmirësohet infrastruktura dhe vendosja e çmimeve tavan që të mbrohet konsumatori, në rastin konkret turisti”, shprehet Krasniqi.
“Problemi i infrastrukturës, edhe pse ka disa përmirësime, mbetet. Uji dhe dritat vijojnë të jenë problem. Mbetjet dhe papastërtitë, plehrat”, vijon Kasa.
Por përballë një tërësie sfidash, ekspertët thonë se Shqipëria po preferohet gjithnjë e më shumë nga të huajt.
“Shifrat janë të kënaqshme krahasuar me vitin e kaluar, por ne kërkojmë shifra më të larta. Nuk duhet të vetëkënaqemi dhe të abuzojmë. Ne jemi me çmimet më të lira se rajoni, pothuajse 10% më shumë se një vit më parë”, thotë më tej kreu i Unionit Turistik Shqiptar.
Turoperatorët thonë se për të pasur një turizëm gjithëvjetor, një fokus i veçantë duhet t’i kushtohet edhe reklamimit të bujtinave që veprojnë si në verë edhe në dimër.

