Skena dramatike në Greqi/ Zbulohet dron detar me eksploziv pranë Lefkadës

Lefkada, 9 maj medial.mk/ – Skena dramatike janë regjistruar në Greqi pas zbulimit të një droni detar pa pilot pranë ishullit Lefkada, i cili sipas mediave greke ishte i ngarkuar me eksploziv dhe i pajisur me tre detonatorë.

Droni i zi është gjetur në një shpellë detare pranë Lefkadës, ndërsa peshkatarët kanë qenë të parët që e kanë vërejtur, teksa motori i tij ende ishte në funksion. Ata e nxorën mjetin lundrues dhe e tërhoqën drejt portit “Vasiliki Port”, ku më pas iu dorëzua autoriteteve greke dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas informacioneve paraprake, ekzistojnë dyshime se bëhet fjalë për një dron të avancuar ukrainas të tipit MAGURA V3, i cili përdoret për operacione speciale detare, zbulim dhe sulme ndaj anijeve. Ky lloj droni njihet për aftësinë e tij për të transportuar lëndë shpërthyese dhe për t’u përdorur në sulme kamikaze.

Hetuesit kanë bërë të ditur se droni ishte i pajisur me antena, sensorë dhe pajisje të avancuara komunikimi, duke hapur disa skenarë mbi destinimin e tij. Një nga mundësitë është përdorimi për aktivitete të paligjshme, si kontrabanda, ndërsa një hipotezë tjetër, më serioze, lidhet me sulme ndaj anijeve në rajon.

Mediat greke rikujtojnë se muajt e fundit janë regjistruar disa incidente të dyshimta në det, përfshirë dëmtime të cisternave ruse dhe anijeve tregtare. Mes tyre përmendet edhe sulmi ndaj tankerës “Kendil” në dhjetor, si dhe shpërthimi që dëmtoi një anije për gaz natyror të lëngshëm pranë Maltës në muajin mars.

Ende nuk dihet se nga ka ardhur droni dhe si përfundoi pranë Lefkadës, ndërsa hetimet po vazhdojnë në disa drejtime. Shërbimet e sigurisë po analizojnë me kujdes pajisjet teknike dhe qëllimin e mundshëm të këtij mjeti detar pa pilot.

Leave a Reply