Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut kritikon deklaratën e ministrit izraelit për urinë në Gazë

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk ka kritikuar ashpër ministrin izraelit të Financave të ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, lidhur me deklaratat e tij të diskutueshme për palestinezët e uritur.

Sipas raporteve të mediave izraelite, Smotrich e përshkroi bllokadën e ndihmave për Gazën – derisa të gjithë pengjet e kapur në sulmet e 7 tetorit nga grupi militant palestinez Hamas të lirohen – si moralisht të justifikuar.

Deklarata e tij shkaktoi zemërim në Gjermani, Francë dhe BE.

Türk tha se deklarata të tilla nxisin urrejtje kundër civilëve të pafajshëm. Ai tha se lejimi i njerëzve të vdesin nga uria ose ndëshkimi kolektiv i tyre përbënin krime lufte.

“Deklarata të tilla, veçanërisht nga zyrtarët, duhet të ndalen menjëherë, të hetohen dhe, nëse klasifikohen si krime, të ndiqen penalisht dhe të ndëshkohen”, shtoi ai.

Türk përsëriti gjithashtu thirrjen e tij për një armëpushim në luftën e Gazës dhe lirimin e pengjeve të mbetura që mbahen në Rripin e Gazës.