Partitë e koalicionit përplasen për reformën e ligjit për shtetësinë

Qeveria e koalicionit të krahut të djathtë të Italisë po debaton për një reformë të propozuar në ligjin e shtetësisë së vendit.

Ministri i Jashtëm Antonio Tajani, nga partia ”Forza Italia”, i cili gjithashtu shërben si zëvendëskryeministër, prezantoi të shtunën një propozim për t’u dhënë nënshtetësinë italiane fëmijëve me prejardhje migrante, pas 10 vitesh ndjekje të shkollës italiane.

Skema e Tajanit për të reformuar ligjin e shtetësisë ka shkaktuar një reagim të ashpër nga kreu i partisë populiste ”Lega”, Matteo Salvini, i cili është edhe zëvendëskryeministri tjetër i vendit.

Salvini tha se “ligji i shtetësisë është i mirë siç është. Ne nuk po punojmë për dhënien e shtetësisë shtesë”.

”E vetmja reformë për të cilën partia është e interesuar do të ishte një propozim për të hequr shtetësinë e kriminelëve të dënuar”, tha Salvini.

Kombësia italiane përcillet aktualisht kryesisht nëpërmjet prejardhjes, sipas ligjeve të reformuara për herë të fundit në vitin 1992.

Fëmijët që rriten në vendin mesdhetar pa prejardhje italiane mund të aplikojnë për shtetësi vetëm pasi të arrijnë moshën madhore.

Parimi ligjor i “jus sanguinis” – latinisht për “e drejta e gjakut” – kritikohet nga partitë e krahut të majtë që besojnë se pengon integrimin e fëmijëve me prejardhje migrante.

Disa mbrojnë futjen e parimit të “jus soli” ose “të drejtën e tokës”, që lejon të gjithë fëmijët e lindur në territorin e një vendi të marrin nënshtetësinë, pa marrë parasysh origjinën e prindërve të tyre.

Në vend të kësaj, propozimi i Tajanit lidh dhënien e shtetësisë me arsimin duke argumentuar se fëmijët mund të mësojnë të bëhen italianë në shkollë.

Megjithatë, është e paqartë nëse skema do të marrë mbështetje nga partnerët e Tajanit në administratën e krahut të djathtë të Italisë.

Partia e ekstremit të djathtë ”Fratelli d’Italia” e kryeministres Giorgia Meloni ka reaguar me skepticizëm.