Liban, qindra të plagosur pas shpërthimit të pajisjeve celulare të komunikimit

Qindra vetë, mes tyre ambasadori i Iranit, mbetën të plagosur në periferitë e Bejrutit dhe në pjesë të tjera të Libanit, pasi u shpërthyen në dorë pajisjet celulare të komunikimit, sipas njoftimeve nga mediat dhe zyrtarë të sigurisë.

Ata po mbanin në duar ‘pagers’, pajisje të vogla komunikimi, të ndryshme nga telefonët celularë, që përdoren për dërgimin e mesazheve dhe sinjaleve.

Nuk dihet ende nëse ka të vdekur.

Një zyrtar i lartë i zbulimit ushtarak dhe një zyrtar tjetër që kishte dijeni për ngjarjen, të cilët folën në kushte anonimiteti për agjencinë e lajmeve Associated Press, thanë se pajisjet ‘pagers’ që mbanin anëtarë të grupit Hezbollah shpërthyen. Zyrtari i dytë tha se besohet se bëhet fjalë për një sulm izraelit.

Agjencia Associated Press iu drejtua ushtrisë izraelite e cila refuzoi të komentonte.

Agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Fars, e cila është e afërt me Gardën e fuqishme Revolucionare të Iranit, tha në një postim në rrjetin Telegram, se Mojtaba Amani, ambasadori i Iranit në Liban, ka marrë plagë sipërfaqësore dhe është nën kujdes mjekësor në spital.

Në fotografi dhe video të marra në lagjet periferike në jug të Bejrutit, që po qarkullojnë në rrjetet sociale dhe në mediat lokale, duken njerëz të shtrirë në tokë me plagë në duar.

Udhehqësi i Hezbollahut Hassan Nasrallah kishte paralajmëruar më parë pjesëtarët e grupit që të mos mbanin telefona celularë, pasi sipas tij mund të gjurmoheshin nga izraelitët, për të parë levizjet e tyre dhe për të ndërmarrë sulme.

Ministri i Shëndetësisë së Libanit u bëri thirrje të gjithë spitaleve të jenë në gjendje gatishmërie.

Fotografët e agjencisë së lajmeve Assciated Press pranë spitaleve thanë se dhomat e urgjencës ishin të tejmbushura me pacientë, shumica e tyre me plagë në gjymtyrë, disa në gjendje të rëndë.

Agjencia shtetërore e lajmeve tha se spitalet në Libanin jugor, Luginën lindore Bekaa dhe periferitë jugore të Bejrutit, të gjitha zona ku Hezbollahu ka prani të fortë, kanë bërë thirrje për të dhuruar gjak.

Sipas kësaj agjencie, në këto zona, për shpërthimin e pajisjeve ‘pagers’ u përdor teknologji e avancuar dhe për pasojë mbeten të plagosur dhjetra vetë.

Një zyrtar i Hezbollahut, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se ishin plagosur së paku 150 vetë, përfshirë pjesëtarë të grupit.

“Armiku (Izraeli) është përgjegjës për këtë incident”, tha ai.

Sipas tij, pajisjet e reja ‘pagers’ që po mbanin anëtarët e Habollahut ishin me bateri me litium, të cilat mesa duket shpërthyen.

Bateritë e litiumit, kur mbinxehen, mund të nxjerrin tym, të shkrijnë apo edhe të marrin zjarr.

Bateritë e rikarikueshme të litiumit përdoren gjerësisht në kompjutera, telefona celularë dhe makina elektrike. Zjarri i shkaktuar nga djegja e tyre arrin temperatura të larta, deri në 590 gradë celsius.

Incidenti ndodh në një kohë që tensionet mes Libanit dhe Izraelit janë shtuar. Grupi militant libanez Hezbollah dhe forcat izraelite janë përleshur pothuajse çdo ditë që kur nisi lufta në Gazë, mes Izraelit dhe Hamasit, ky i fundit aleat i Hezbollahut./VOA