Biden ul 1 500 dënime dhe fal 39 persona në aktin më të madh të faljes
Presidenti amerikan, Joe Biden po u lehtëson dënimet rreth 1 500 personave, që u liruan nga burgu dhe u vendosën në izolim në shtëpi gjatë pandemisë së koronavirusit dhe po fal 39 amerikanë të dënuar për krime jo të dhunshme, sipas AP.
Ky është akti më i madh njëditor i mëshirës në historinë moderne.
Uljet e dënimit janë për personat që kanë vuajtur dënimet e izolimit në shtëpi për të paktën një vit pasi janë liruar.
Burgjet ishin shumë vulnerabël për përhapjen e virusit dhe disa të burgosur u liruan pjesërisht për të ndaluar përhapjen. Në një moment, një në 5 të burgosur kishte COVID-19, sipas një raporti të mbajtur nga Associated Press.
Biden tha se do të ndërmerrte më shumë hapa në javët në vijim dhe do të vazhdonte të shqyrtonte peticionet për falje.
Akti i dytë më i madh i faljes njëditore ishte nga Barack Obama, me 330, pak para se të largohej nga detyra në 2017.
“Amerika u ndërtua mbi premtimin e mundësisë dhe shanseve të dyta”, tha Biden në një deklaratë.
“Si president, kam privilegjin e madh të shpreh mëshirë për njerëzit që kanë demonstruar pendim dhe rehabilitim, duke rivendosur mundësinë për amerikanët për të marrë pjesë në jetën e përditshme dhe për të kontribuar në komunitetet e tyre dhe duke ndërmarrë hapa për të hequr pabarazitë në dënime për shkelësit jo të dhunshëm, veçanërisht ata që janë dënuar për vepra penale të drogës”, theksoi ai.
Mëshira pason një falje të gjerë për djalin e tij Hunter, i cili u ndoq penalisht për krime me armë dhe taksa.
Biden është nën presionin e grupeve të avokimit për të falur një pjesë të gjerë njerëzish, përfshirë ata të dënuar me vdekje federale, përpara se administrata Trump të marrë drejtimin në janar.
Ai po peshon gjithashtu nëse do të japë falje parandaluese për ata që hetuan përpjekjet e Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe po përballen me një ndëshkim të mundshëm, kur ai të marrë detyrën.