Rrëzohet një avion F-16 pranë Koresë së Jugut, piloti amerikan katapultohet i sigurt

Një avion luftarak amerikan F-16 u rrëzua të hënën në ujërat e Koresë së Jugut, ndërsa piloti u hodh i sigurt, transmeton Anadolu.

Avioni ishte angazhuar në një “stërvitje rutinë” kur ndodhi incidenti në Detin e Verdhë rreth orës 8:43 të mëngjesit me orën lokale, raportoi “Yonhap News” me bazë në Seul.

“Piloti është gjetur nga Forcat Detare të Republikës së Koresë së Jugut, me vetëdije dhe në gjendje të qëndrueshme. Ai po kthehet në bazën ajrore Kunsan ku do të vlerësohet më tej”, thanë Forcat Ajrore të SHBA-së.

Avioni F-16 kishte fluturuar nga baza ajrore Kunsan në Gunsan të provincës veriore Jeolla.

Ky është incidenti i dytë këtë vit në dhe rreth Koresë së Jugut ku është përfshirë një avion F-16, ndërsa një avion që i përkiste krahut luftarak të 51-të të SHBA-së ishte përplasur në tokë bujqësore pranë bazës ajrore Osan në Pyeongtaek, provincën Gyeonggi, pranë kryeqytetit Seul.

Në Korenë e Jugut janë të dislokuara rreth 28.500 forca amerikane sipas një pakti dypalësh të mbrojtjes.

Ndërkohë, Koreja e Veriut ka dënuar Seulin dhe Washingtonin për organizimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake që nga fundi i tetorit.

Pheniani i quajti këto si akte “të kota” dhe “provokuese” që “vetëm do të përshpejtojë shkatërrimin e Koresë së Jugut”.