OKB: Izraeli kërkon që 1.1 milion civilë nga veriu të zhvendosen në jug të Gazës

Kombet e Bashkuara (OKB) njoftojnë se ushtria izraelite ka kërkuar nga 1.1 milion civilë në Gaza që të largohen nga vendet e tyre dhe të kalojnë në jug të rajonit, raporton Anadolu.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric lidhur me çështjen në një deklaratë me shkrim për AA tha se ushtria izraelite ka informuar Zyrën e Koordinimit të Çështjeve Humanitare dhe të sigurisë në Gaza shumë pak kohë para mesnatës.

“Në kuadër të kësaj ushtria izraelite ka njoftuar se nga civilët në Gaza ka kërkuar që 1.1 milion të largohen nga vendet e tyre dhe të kalojnë në pjesën jugore”, tha Dujarric.

“Në të njëjtën kohë kjo vlen edhe për personelin e OKB-së dhe për personat që qëndrojnë në objektet e OKB-së, përfshirë shkollat dhe qendrat shëndetësore”, tha ai.

Dujarric nënvizoi se detyrimi i popullsisë së Gazës për t’u larguar do të ketë pasoja shkatërruese dhe se për këtë kanë kërkuar që të heqë dorë nga vendimi i tij.

“OKB-ja kundërshton në mënyrë të fuqishme udhëzimin e ushtrisë izraelite në këtë drejtim dhe kërkon anulimin”, theksoi Dujarric duke shtuar se një veprim i tillë do ta kthejë në “tragjedi” situatën e cila aktualisht është shumë e keqe.