“Pse Bush sulmoi Irakun?”, ish-zyrtari i CIA-s: Mendoj se besonte që ishte fati i tij të shpëtonte botën nga Sadam Husseini
Rolf Mowatt Larssen, i cili ka qenë prej më shumë se 30 vitesh zyrtar i CIA-s ka treguar për emisionin “Opinion” në Tv Klan qasjen e tij lidhur me vendimin e ish-Presidentit amerikan Bush për të pushtuar Irakun.
I pyetur nga Blendi Fevziu lidhur me këtë çështje, ai thotë se mendon se ish-Presidenti Bush besonte se ishte detyra e tij presidenciale që ta shpëtonte botën nga Sadam Husseini.
Blendi Fevziu: Normalisht, Shtetet e Bashkuara nisën pushtimin e Irakut në 2003-in, më Mars të 2003-it nëse nuk gabohem. Ishte një gabim i madh i CIA-s i cili i kushtoi George Tenet-it pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm në krye të CIA-s. Ju e keni cituar shumë herë Presidentin George Bush të asokohe. Gjetët armët e shkatërrimit në masë ose bombat atomike në përgatitje në Irak në atë kohë?
Rolf Mowatt Larssen: Jo. Dhe çdo president mëson shpejt se pjesa më e madhe e inteligjencës nuk është bardh e zi. Presidenti Bush në veçanti u ndikua nga pamundësia e CIA-s për t’i dhënë një përgjigje plotësisht të qartë. Ka Sadami armë të shkatërrimit në masë?
Blendi Fevziu: Cila është përgjigja? Jo?
Rolf Mowatt Larssen: Fatkeqësisht dolëm në përfundimin e gabuar. Kjo është diçka të cilën e studiojmë, përpiqemi ta korrigjojmë, nuk përpiqemi të shmangim gjykimin se ishte një dështim i inteligjencës.
Blendi Fevziu: Më pas, është shumë interesante kur përshkruani takimin tuaj me Presidentin George Bush në praninë ish-Presidentit George Herbert Bush, babai i tij. Ju thatë në një çast se Bush-i i ri po shikonte babanë e tij për vendimin por në fund ishte ai i cili duhej të merrte vendimin. Pse George Bush-i mori vendimin për të sulmuar Irakun?
Rolf Mowatt Larssen: Asnjëherë nuk do e di përgjigjën ekzakte. Interpretimi im është se ishin punë të pambyllura. Besoj se ishte një bindje e vërtetë e Presidentit se… meqë ra fjala unë e respektoj vërtetë Presidentin, të dy Presidentët Bush kanë qenë shumë të mirë, pra nuk dua të keqpërfaqësoj nga vij. Megjithatë unë mendoj se ai vërtetë besonte se kishte armë të shkatërrimit në masë në Irak dhe ashtu besonte se ishte detyra e tij presidenciale, ose fati i tij, të shpëtonte botën nga Sadam Husseini.
Blendi Fevziu: Si ishte Presidenti Bush gjatë takimeve informuese? I kushtonte vëmendje takimeve?
Rolf Moëatt Larssen: Po, disa njerëz e përshkruajnë Presidentin si një person jo shumë të zgjuar por si pas përvojës time ai ishte jashtëzakonisht shumë kompetent, kishte një memorie shumë të mirë, kishte sy për detaje, merrte vendime të mira dhe të shpejta dhe më pas keni rastin e Irakut, çka nuk është e vërtetë në këtë rast. Megjithatë sipas përvojës time me Presidentin, si qytetar tani, jo si zyrtar i CIA-s, u ndjeva që administrata jonë ishte në krye të gjërave.

