Zjarri në Tetovë, Prokuroria nesër pritet të nisë hetimet
Tetovë, 1 Qershor – Cilësia e ajrit në Tetovë është përmirësuar ndërsa sasia e grimcave PM10 është minimale, falë erës që fryu gjatë natës.
Shkaqet e zjarrit në ish fabrikën e duhanit, mbeten të panjohura. Prokuroria nesër pritet t’i nisë hetimet pasi zjarri është shuar tashmë plotësisht.
Por pavarësisht se zjarri u shua, njësiti kundër zjarreve në Tetovë, thonë se rreziku nga përhapja sërish e zjarrit në këtë kombinat nuk është eliminuar.
“Rreziku ekziston deri në momentin kur do të bëhet bartja e materialit të djegur nga aty, sepse është material që ndizet shumë shpejtë. Kështu që ne, tërë kohës shkojmë e kontrollojmë vendin e ngjarjes por, ka edhe ekipe të policisë aty dhe kemi kërkuar që nëse del tym ose diçka jemi të gatshëm të shkojmë të intervenojmë”, tha Avni Ameti, NJTKZ.
Pas mbledhjes së djeshme në shtabin e krizës në komunën e Tetovës, po ashtu, është urdhëruar edhe kujdestari 24 orëshe e zjarrfikësve dhe urgjencës bashkë me policinë, në fabrikën ku dy ditë më parë shpërtheu zjarri. Paralajmërojnë kontrolle më të rrepta edhe për firmat të cilat merren me prodhim.
“Të vendoset kujdestari e zjarrfikësve në vendin ku ndodhi zjarri që u përhap në kompaninë private “Po Fix”, sektori i punëve të brendshme por edhe ndihma e shpejtë që në rast nevoje, të jenë aty në ndodh shpërthim i zjarrit sërish. Të angazhohet inspektorati komunal të bëj raport për gjitha objektet industriale se cilës kategori i takojnë dhe ku i deponojnë mbetjet industriale”, u shpreh Besat Durmishi, Shtabi i Krizës Komuna e Tetovës.

