VMRO: Të hiqet kodi etik i deputetëve

Shkup, 7 Qershor – VMRO-DPMNE-ja kërkon të ndërpritet vlefshmëria e Kodit Etik të deputetëve, një ditë pasi nuk u hap aspak debati për procedurën e iniciuar disiplinore për kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi. Sipas tyre, fakti që shumica pengoi zhvillimin e këtij debati tregoi se ky kod nuk respektohet. Nisma përmbante dëshmi për fyerjet dhe sharjet e kryeparlamentarit Xhaferi ndaj nëpunësve të Kuvendit, të kapura në audio incizim.

“Duke e parë që kjo nuk do të funksionojë sepse tani ndodhemi në situatë kur kemi shembull të rëndë të mosrespektimit të Rregullores, kërkuam që të diskutohet për të. Vendimi në fund është individual dhe mund të ishte sido megjithatë diskutim duhet të kishte patjetër, ne erdhëm në situatë që shumica parlamentare, vendosi të mos diskutohet për temën”, deklaroi Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.

Deputetët e opozitës maqedonase kërkuan që propozimi të vendoset menjëherë në rend dite, por ai nuk ishte përkthyer akoma. Në seancë plenare, u hodhën poshtë edhe propozimet e tjera të VMRO-DPMNE-së të cilat kishin të bënin me uljen e akcizës së karburanteve për 50% dhe uljen e TVSH-së së karburanteve nga 18 në 5%. Kjo parti njoftoi se nuk do të heqë dorë nga kjo nismë. Do të propozojë përsëri nismat e njëjta me procedurë urgjente e cila e obligon Xhaferin t’i vendosë ato në rend dite menjëherë.

“Nëse propozimet tona ngecin në labirintet e Kuvendit do të kërkojmë edhe me amendamente të intervenohet në rishikimin e buxhetit me qëllim uljen e çmimit të karburanteve dhe TVSH-së për produktet ushqimore bazë”, Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.

Veprimet e opozitës në Kuvend ishin në kuadër të veprimit të tyre me qëllim të bllokimit aktiv, duke e bërë gjithmonë e më të vështirë miratimin e rendit të ditës të seancave të reja.