Varheji: të ndjeket modeli Marrëveshjes së Prespës edhe Bullgaria t’i përforcojë përpjekjet dhe ta bëjë të njëjtën gjë

Ohër, 17 qershor – Sot siç e festojmë katër vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, është me rëndësi që të theksohet se siç mundën Greqia dhe Maqedonia e Veriut ta tejkalojnë kontestin e tyre dhe ta zgjidhin me marrëveshje të përbashkët, presim që Bullgaria t’i përforcojë përpjekjet e saj dhe ta bëjë të njëjtën gjë, porositi eurokomisari për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Oliver Varheji në një video paraqitje në panelin “65 vjet pas Traktatit të Romës: A është Evropa në tërësi e rikonstruuar dhe integruar ekonomikisht?”,në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog që po mbahet në Ohër.

Varheji theksoi se Ballkani Perëndimor i takon Evropës dhe liderët e BE-së njëzëri e shprehën mbështetjen për perspektivën evropiane të rajonit dhe se bashkëpunimi me partnerët e Ballkanit Perëndimor është zgjedhje gjeopolitike e BE-së.

“Këto janë kohë të vështira për ekonomitë tona, së pari përballemi me pandeminë e Kovid-19 pastaj u përballëm me agresionin ushtarak rus në Ukrainë. Pasojat nga lufta janë të dukshme edhe më gjerë në rajon. Çmimet e larta të karburanteve janë sfida me të cilat përballemi globalisht. Ju siguroj se Ballkani Perëndimor mbetet prioritet i yni, ky është shkaku për shkak të të cilit e përfshimë Ballkanin Perëndimor në politikat tona për të lehtësuar mungesën e gazit dhe ushqimit. Do ta ulim varësinë nga karburantet fosile ruse, për shembull me pjesëmarrje të platformës evropiane energjetike, gjithashtu e përfshimë Ballkanin Perëndimor edhe për gatishmërinë për krizë me ushqim, që të koordinojmë për qasjen e ushqimit”, theksoi Varheji.

Eurokomisari tha edhe se plani i investimeve për Ballkanin Perëndimor do të mobilizojë mbi 30 miliardë euro gjatë shtatë viteve të ardhshme, me qëllim, që të ritet BPV i rajonit në dy për qind dhe do të përshpejtohet integrimi.

“Zbatimi i planit është në ecje të plotë, tashmë kemi përgatitur 21 planet e para të investimeve me vlerë totale prej 3.2 miliardë euro dhe 1.1 miliardë euro grante përmes fondeve IPA. Ne besojmë se duke përshpejtuar planin e investimeve ekonomike, ne po ecim në drejtimin e duhur për të forcuar lidhjen për të forcuar ekonomitë tona më të gjelbra dhe më digjitale, duke reduktuar kështu varësinë nga karburantet fosile ruse dhe duke luftuar dezinformimin në rajon. Ne po hapim mundësi për të rinjtë dhe gratë në shoqëri që vendet dhe shoqëritë tona të jenë më rezistuese”, tha Varheji në video-fjalimin  në Forumin e Prespës për Dialog në Ohër. /Zhurnal.mk