Varhei në Sofje në takime me Radevin, Petkovin dhe Gençovskën
Shkup, 9 qershor – Euroambasadori për zgjerim dhe politika të fqinjësisë së mirë Oliver Varhei, i cili dje mori pjesë në samitin e nismës Ballkani i Hapur në Ohër, sot është për vizitë në Bullgari.
Varhei në Sofje do të mbajë takime me presidentin bullgar Rumen Radev, kryeministrin Kiril Petkov dhe ministren e Punëve të Jashtme Teodora Gençovska.
Vizitën në Bullgari eurokomisari për zgjerim e paralajmëroi gjatë qëndrimit të tij të fundit më 20 maj, kur pas takimeve me Radevin, Petkovin dhe Gançevskën, tha se së shpejti do të kthehet në Sofje për të gjetur një zgjidhje të pranueshme reciprokisht për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut.
Para nisjes për në Sofje, Varhei tha dje se po punohet intensivisht në Shkup për fillimin e procesit të negociatave për anëtarësim në BE në qershor.
“Maqedonia e Veriut duhet të ketë sukses dhe të gjithë duhet të punojmë për këtë. Për sa kohë të ketë shansin më të vogël, do të vazhdoj të punoj. Nga këtu nisem menjëherë për në Sofje dhe do të vazhdoj të punoj për zgjidhje në qershor”, tha komisari evropian i pyetur se cilat janë shanset e Maqedonisë së Veriut, duke qenë se kanë mbetur edhe dy javë deri në Samitin e BE-së.
Në lidhje me gatishmërinë e presidentit francez Makron ta ndihmojë Shkupin dhe Sofjen që të arrijnë marrëveshje, Varhei tha se punon shumë ngushtë me presidencën franceze, por në këtë fazë do të ishte herët të jepet përgjigje.
“Nuk do të lëmë asnjë gur pa lëvizur për ta përfunduar këtë. Presidenca franceze është jashtëzakonisht e përkushtuar. Makron është i përfshirë personalisht në të gjitha këto. Unë mendoj se të gjithë duan një rezultat që është i pranueshëm për të dyja vendet dhe me të cilin do të mund të ecim përpara dhe më në fund të mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare dhe të vazhdojmë me procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut”, deklaroi komisari i BE-së Oliver Varhei.

