Trençevska: Punojmë për rritjen e vëllimit dhe qasjes së shërbimeve sociale
Shkup, 4 gusht – Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska duke folur për ndryshimet në Ligjin për marrëdhënie të punës dhe për të drejtat dhe shërbimet e personave me aftësi të kufizuara, tha se me ndryshimin e Ligjit për marrëdhënie të punës, i cili aktualisht është në procedurë parlamentare, si target grup do të përfshihen edhe zejtarët që do t’u lejohet të punojnë të dielave.
Në fillim të intervistës së saj për Al Xhezira, ministrja theksoi komunikimin intensiv me Odën e zejtarëve, e cila synon t’u përgjigjet kërkesave të tyre. Ajo shtoi se ndryshimet në ligj do të vlejnë për të gjithë zejtarët, jo vetëm për ata të zonave turistike.
“Sipas programit të punës së Qeverisë për vitin 2022, parashikohet rritje me 15 për qind të së drejtës për ndihmë të posaçëme për fëmijët me aftësi të kufizuara deri në 26 vjeç. Me ndryshimet e bëra në Ligjin për Mbrojtjen e fëmijëve, parashikohet rritje e shtesës së posaçme, e cila aktualisht është në procedurë parlamentare. Kemi bërë ndryshime edhe në Ligjin për Mbrojtjen sociale, ku parashikohet ulje e kufirit të moshës për prindërit me kompensim të përhershëm, që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara dhe deri në moshën 26 vjeçare janë kujdesur për të, dmth nuk e kanë vendosur në institucion, kufiri u ulet nga 62 në 60 vjeç për gratë dhe nga 64 në 62 për burrat”, tha ministrja.
Ajo po ashtu theksoi se me ndryshimet e parapara në Ligjin për mbrojtje sociale, është bërë ndryshimi i kritereve për asistencë personale, ku do të përfshihen personat plotësisht të verbër, si dhe personat me aftësi të kombinuara të kufizuara.
“Përveç të drejtave për mbrojtje sociale, të cilat janë masa pasive për personat me aftësi të kufizuara, është shumë e rëndësishme të punohet në zhvillimin e shërbimeve që do të jenë në dispozicion të qytetarëve dhe të rritet vëllimi i tyre”, shtoi Trençevska.
Ajo tha se rritja e pagës minimale nuk duhet të lidhet me të drejtat e mbrojtjes sociale. Trençevska thekson bashkëpunimin me komunat me qëllim të përmirësimit të shërbimeve sociale në nivel lokal. Ajo gjithashtu theksoi se masat pasive janë të rëndësishme, por, më e rëndësishme është ofrimi i qasjes dhe vëllimi më i madh i shërbimeve, sepse ndryshon drejtpërdrejtë cilësinë e jetës së personave me aftësi të kufizuara.

