Talat Xhaferi do të jetë njëkohësisht kryeministër dhe deputet

Shkup, 7 qershor – Talat Xhaferi mbetet edhe deputet edhe kryeministër. Pa pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë, u tejkalua një tjetër përpjekje për të zgjidhur rastin e papajtueshmërisë së dy funksioneve.

Kryetari i “Të Majtës” Dimitar Apasiev, para tri ditësh dorëzoi kërkesë në Kuvend që të deklarohet pa diskutim ndërprerja e mandatit të Xhaferit.

Kërkesa bazohet në Kushtetutë dhe në katër ligje që parashikojnë ndërprerjen e mandatit nëse një deputet ka edhe një detyrë tjetër.

Kryeparlamentari Afrim Gashi e ka pranuar kërkesën por nuk e ka trajtuar si dokument vendimmarrës.
Nuk e ka dorëzuar fare në Komisionin për Çështje mandatore sepse as nuk është formuar.
Pak ditë më parë, kabineti i Gashit njoftoi se “Kuvendi ka qëndruar konsistent me rastet e mëparshme ku Qeveria kryen vetëm funksionet e nevojshme deri në zgjedhjen e Qeverisë së re për të siguruar vazhdimësi dhe transferim të rregullt të pushtetit”.

Vetë Xhaferi në Seancën Kushtetuese ka deklaruar se do të mbetet kryeministër dhe do të përmbahet nga detyrat parlamentare për të shmangur konfliktin e interesave. Kurse mandatari Hristijan Mickoski u pajtua se një praktikë e tillë ka ndodhur disa herë dhe se është një “zonë gri” që duhet riorganizuar.