Spasovski pret në takim shefin e OSBE, Koja

Shkup, 25 korrik – Në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) të Republikës së Maqedonisë së Veriut sot është mbajtur takim pune midis ministrit të brendshëm Oliver Spasovski dhe shefit të Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadorit, Klemens Koja.

Në takim, njoftoi sot MPB-ja, të dyja palët shprehën kënaqësi rreth bashkëpunimit të deritashëm të suksesshëm afatgjatë dhe njëherësh kanë diskutuar për progresin në realizimin e projekteve të përbashkëta.

“Me këtë rast është konfirmuar rëndësia e partneritetit tonë serioz i cili reflektohet edhe në fazën përgatitore të kryesimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023”, theksohet në kumtesën e MPB-së.

Ministri Spasovski ka konfirmuar edhe tendencën për vazhdimin e aktiviteteve të përbashkëta në drejtim të përmbushjes së plotë të iniciativave të parapara.