Sot përsëri protesta para Qeverisë kundër propozimit francez
Shkup, 5 korrik – Sot në mesditë ka vijuar para Qeverisë protesta për refuzimin e propozimit francez për zhbllokimin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Disa nga të pranishmit janë ulur para Qeverisë me çadra, ndërsa për në mbrëmje janë paralajmëruar edhe tubime të reja.
Rreth godinës së qeverisë është vendosur një gardh mbrojtës dhe është e dukshme edhe siguria e shtuar e policisë.
Në fillim të protestës, pjesëmarrësit brohoritën “Dorëheqje”, “Maqedoni”, “Kurrë e Veriut vetëm Maqedoni”.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki, në protestë deklaroi se propozimi i pranuar nga qeveria e Kovaçevskit është i papranueshëm për shtetin.
“Populli, intelektualët, aktorët socialë dhe opinioni ekspert thonë me zë të lartë se ky propozim për fillimin e negociatave është i dëmshëm për Maqedoninë dhe çon në dy skenarë, njëri prej të cilëve është më i keq për Maqedoninë. Njëra është negociata e përjetshme dhe e dyta është asimilimi nën diktatin e Bullgarisë. Ky propozim paraqet një ultimatum që i përmban të gjitha kërkesat bullgare”, deklaroi Kovaçki.
Sipas tij, ajo që qeveria po përpiqet të realizojë si sukses të madh është një fatkeqësi e thatë diplomatike.
“Populli tha Jo, faleminderit. Kovaçevski dhe Qeveria duhet të thonë nëse qëndrojnë me apo kundër popullit të tyre”, deklaroi Kovaçki.
Ndryshe, VMRO-DPMNE ka bërë thirrje sërish për protestë para Qeverisë për në mbrëmje në orën 19:00, më pas do të marshojnë drejt Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe më pas do të drejtohen për në Parlament.
Protesta zyrtarisht nuk ka organizator, por mbështetet nga partitë politike dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilët mendojnë se propozimi është jashtëzakonisht i keq për popullin maqedonas dhe interesat kombëtare maqedonase. Ditën e djeshme disa nga pjesëmarrësit e protestës hodhën vezë para ndërtesës së Qeverisë, ku u grumbulluan edhe para Kuvendit, ku u shemb edhe rrethoja mbrojtëse.

