SASHK-u kërkon ndryshime në programin arsimor

Shkup, 4 maj – Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) do të kërkojë nga Qeveria e ardhshme dhe ministri i Arsimit që t’i heqin të gjitha mangësitë që janë konstatuar nga mësimdhënësit në konceptin e ri arsimor, i cili u zbatua si pilot- projekt nga ky vit shkollor.

“Nuk e di nëse do të vazhdojë të realizohet koncepti apo ndoshta do të ketë ndonjë ndërprerje dhe ndonjë “bajpas” derisa kjo gjeneratë të vazhdojë kështu deri në fund, por të gjitha ato vërejtje që i bëjnë kolegët e fushës, të cilët thonë se disa gjëra nuk janë të realizueshme, do të kërkojmë që të ndryshohet ligjërisht dhe ndryshimet të bëhen praktikisht me realizim”, tha Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

Në SASHK thonë se do të kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për problemin e mungesës së teksteve shkollore. Nedellkov thotë se përgjegjësia për këtë gjendje është vetëm e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

“Mësuesit janë të përgatitur dhe të edukuar, që edhe pa tekste mësimore, mësimin ta kryejnë me cilësi. Është problem më i madh për nxënësit dhe prindërit. Dhe mendoj se është e palejueshme, nëse është e rregulluar me ligj që arsimi të jetë falas, ndër të cilët tekstet dhe mjetet mësimore të dorëzohen në kohë, atëherë është obligim i shtetit që kjo të zgjidhet njëherë e përgjithmonë”, shtoi Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

“Mësuesit nuk mund t’u kërkojnë nxënësve njohuri më të mëdha se këto që i kanë, nga shënimet nëpër fletore. Tekstet shkollore na ndihmojnë, por për konceptin e ri të punës sipas programit të ri, duhet të dimë se çfarë duhet të bëjmë me nxënësit. Kjo s’ka të bëjë as me drejtorët, as me mësuesit e as me nxënësit. Ministria e Arsimit është e obliguar të bëjë shpërndarjen e teksteve”, deklaroi Marina Gjorgoska – drejtoreshë e SH.F “Hristo Uzunov”- Ohër.

Ndryshe, Komisioni për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi që në muajin tetor ka ngritur padi kundër Ministrisë së Arsimit për shkak të mungesës së teksteve në shkollat ​​fillore në mbarë vendin. Nga gjithsej 126 tekste shkollore, mungojnë 43.(koha.mk)