Radev: Qeveria bullgare të deklarohet për “propozimin francez”, jo Kuvendi

Sofje, 20 qershor – Presidenti bullgar Rumen Radev sot ka kërkuar që Qeveria e Bullgarisë të deklarohet lidhur me propozimin e presidencës franceze me BE-në për zhbllokim të rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut.

“Qasja aktuale nuk mund të funksionojë. Qeveria bullgare duhet të japë mendim në bazë të profesionalitetit të ministrisë bullgare për Punë të jashtme dhe nëse në çfarëdo mënyre e azhurnon pozitën kombëtare kornizë me vendim të saj, që më pas ta dërgojë në Parlament për miratim, jo anasjelltas”, deklaroi Radevi në Lituani ku merr pjesë në forumin “Tre dete”.

Sipas tij, pozita kornizë e Bullgarisë në vitin 2019 është konstatuar dhe miratuar me vendim të qeverisë së atëhershme bullgare dhe pastaj është mbështetur me Deklaratë të miratuar nga ana e përbërjes së atëhershme të Kuvendit.

“Me të vërtetë ka përparim. Ndryshimi i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut tanimë është pranuar të ndodhë. Në Sofje asnjëherë nuk kemi folur për pakicë, por barazi të bullgarëve maqedonas që e meritojnë. Së pari të ndryshohet Kushtetuta, pastaj të fillojnë negociatat me BE-në”, shtoi Radevi.

Sipas tij, qasja momentale e qeverisë lidhur me propozimin francez të deklarohet Kuvendi bullgar çon në bllokadë dhe pamundësi të sillet vendim.

“Trupi që do ta përgatisë këtë vendim duhet të jetë Qeveria bullgare, ndërsa Parlamenti ta miratojë, jo anasjelltas”, shtoi Radevi.

Kryeministri bullgar Kiril Petkov të shtunën deklaroi se në Samitin e BE-së në Bruksel gjatë javës “nuk do të shkojë me qëndrim të Qeverisë lidhur me ‘propozimin francez’ por me vendim të Kuvendit kombëtar” të Bullgarisë.

“Propozimi i presidencës franceze me BE-në është tashmë në Kuvendin kombëtar të Bullgarisë. Deputetët do të sjellin vendim dhe do ta përmbush vullnetin e Kuvendit kombëtar”, tha Petkovi.