Petrovska dhe Kuper: Taktizimi me veton është rrezik serioz i sigurisë për Ballkanin

Uashington, 8 qershor – Ekziston urgjencë për ta çuar integrimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Taktizimi me veton është rrezik serioz i sigurisë në Ballkan, vlerësuan zëvendës-ndihmësja e sekretarit të Mbrojtjes e SHBA-së, Lora Kuper dhe ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska në një intervistë të përbashkët për “Zërin e Amerikës”, të realizuar gjatë vizitës së delegacionit të Maqedonisë së Veriut në Uashington.

“Mendojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme të vazhdojnë bisedat diplomatike që të zgjidhet kjo çështje. Do ta lavdëroja lidershipin e Maqedonisë së Veriut dhe mënyrën në të cilën iu qas kësaj sfide. Mendoj se ajo që e kemi parë nga Maqedonia e Veriut është lidership diplomatik. Pamë liderë në Shkup si i kontaktojnë liderët në Sofje dhe pamë një dialog diplomatik të dobishëm si rezultat i kësaj”, tha Kuper.

Ajo thotë se ngecja në eurointegrime shkon në dobi të Moskës, e cila “do të insistojë t’i përkeqësojë ndasitë dhe ta pengojë qasjen, pa dallim nëse kjo ishte para NATO-s, që e dimë se Rusia është përpjekur ta parandalojë dhe tani e njëjta për në BE”.

Ministrja Petrovska, nga ana tjetër, vlerëson se taktizimi i gjatë ose anulimi i fillimit të negociatave për shkak të vetos të cilën e kemi nga fqinji ynë mund të shkaktojë problem serioz të sigurisë në Ballkan, për çka tashmë ndjehet në njëfarë mënyre frustrimi nga pritja e gjatë në këtë proces dhe kjo është diçka që shtesë e dekurajon edhe udhëheqësinë edhe shoqërinë në tërësi.

“Ky taktizim, veçanërisht në kushtet të cilat i kishim tani në tokën evropiane, ndërsa është agresioni ushtarak mbi Ukrainën, lë hapësirë për ndikime të shteteve të treta të cilat, jo gjithmonë, gjegjësisht zakonisht nuk janë mirë të orientuar ndaj gjendjeve. Aksioni më i madh, përfshirja më e madhe nga të gjitha palët do të jetë përfitim për të gjithë”, tha Petrovska dhe shprehu falënderim për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer amerikane.

Në kontekstin e kanosjeve hibride, Petrovska porositi se është i dukshëm përforcimi i tyre, veçanërisht pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë.

Ministrja Petrovska mori pjesë në dialogun strategjik ndërmjet dy vendeve në Uashington javën e kaluar dhe pati një sërë takimesh në Departamentin e Shtetit, Pentagon dhe Pensilvani. Gjatë dialogut strategjik është paralajmëruar një grant amerikan prej 40 milionë eurosh për modernizimin e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për rritjen e mbrojtjes nga kërcënimet hibride.