Peshkimi nuk ndalet, koncesioneri askund

Dibër, 21 qershor – Tani më një kohë të gjatë ujërat e Liqenit të Dibrës janë pa koncesioner. Pas ndërprerjes së koncesionit për rekreim dhe peshkim sportiv që ndodhi për shkak të pamundësisë për menaxhim nga ana e koncesionerit shoqatës “Trofta” nga Dibra, disa muaj Liqeni është pa koncesioner dhe menaxhimi i tij është lënë pas dore edhe pse me Ligjin në këtë sferë Liqeni duhet të ketë koncesioner. Në këtë situatë peshkimi në Liqe vazhdon edhe pse ligji thotë se në ujërat ku nuk ka koncesioner ndalohet rreptësishtë gjuajtja e peshkut.

Ushtruesi i detyrës kryeshef i Njësisë të Ministrisë së Bujqësisë, në Dibër Arben Mulladauti thotë se pritet shumë shpejt Ministria të vendos dhe të jep nën koncesion liqenin e Dibrës. Ministria deri tani ka ndarë koncesione për disa Liqe dhe lumenj, dhe presim që në një periudhë të shkurtër koncesioner të ketë edhe Liqeni i Dibrës. “Pas dorëzimit të koncesionit nga shoqatat e peshkatarëve sportiv Trofta Liqeni ngeli pa koncesioner. Ishte një koncesion për rekreim dhe peshkim sportiv. Kemi informata se ka kërkesa të reja për koncesioner dhe besojmë se shumë shpejt liqeni do të ketë koncesionerin e ri”, thotë Mulladauti dhe shton se në përputhje me ligjin në ujërat të cilët nuk kanë koncesioner rreptësishtë është i ndaluar peshkimi. Por, kjo faktikisht nuk ndodh, shton ai, dhe potencon se sa më shpejt liqeni të ketë koncesioner aq më mirë është edhe për mbrojtjen e fondit të peshkut në ujërat e Liqenit. Bashkëbiseduesi i jon potencon se shoqatat në Dibër por edhe pushteti vendor janë të interesuar që përsëri koncesioni të jepet vetëm për rekreim dhe peshkim sportiv dhe jo për peshkim ekonomik.

Në lidhje me këtë çështje biseduam edhe me njeriun e parë të shoqatës “Trofta” Beli Haliti. Ai thotë se shoqata ka konkurruar për të marr koncesionin.

“Liqeni nuk është mirë të ngelet pa koncesioner dhe presim që dita ditës kërkesat dhe konkurrimet tona për koncesion të japin rezultat. Në situatë kur nuk ka menaxhues të Liqenit normalisht nuk respektohen rregullat në peshkim. Besojmë se gjatë sezonit veror liqeni i Dibrës do të ketë koncesioner dhe ai do të menaxhohet në përputhje me normat ligjore”, thotë Haliti. Peshkatarët sportiv të Dibrës poashtu janë të shqetësuar për vonesën e dhënies së koncesionit. Ata thonë se sidomos gjatë vikendeve një numër i madh i peshkatarëve sportiv nga qytete të vendit “zbarkojnë” në bregun e liqenin dhe gjuajnë peshk me sasi të mëdha. Kur jemi tek Liqeni i Dibrës dhe ku përgatiten edhe aktivitete të shumta garuese si në peshkim sportiv ashtu edhe gara në kajak , nevoja për një koncesioner është tejet e nevojshme.