Përkushtimi jonë për anëtarësimin në BE ka qenë i qartë që nga pavarësia e vendit

Shkup, 17 qershor – Në kushtet e sotme të ngjarjeve botërore edhe më shumë theksohet tema e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Evropë, ku natyrshëm i takon, dhe kur është fjala për procesin e eurointegrimeve të Maqedonisë së Veriut, kohë e çmuar është humbur.

Këtë e theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili si folës kryesor sot në Forumin Prespës për dialog, e hapi seancën me temë “65 vjet pas Marrëveshjes së Romës: A është Evropa plotësisht e rindërtuar ekonomikisht dhe e integruar?”. Ai tha se nuk do të flasë për të kaluarën, por për të ardhmen e vendit dhe rajonit.

“Zakonisht diskutimet në Ballkan janë më së shumti për të kaluarën dhe historinë dhe ka politikanë që kanë qejf të flasin për tema nga historia, veçanërisht nga fqinjësia, dhe këto janë temat më të lehta për t’u folur sepse kur flet me qytetarët për historinë, atëherë asgjë nuk ju premtoni atyre. Është më e vështirë të flasësh me qytetarët për ekonominë sepse atëherë premtohet dhe më pas qytetarët kanë pritshmëri për standard më të mirë jetese. Do të flas për të tashmen dhe planet për të ardhmen, për gjithçka që ne si shtet në bashkëpunim me vendet e rajonit dhe partnerët tanë strategjikë po realizojmë me një synim të vetëm zhvillim ekonomik dhe standard më të mirë për qytetarët”, tha Kovaçevski.

Ai e vendosi theksin në tre aspekte kryesore të temës së sotme, përkatësisht përafrimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së dhe zbatimin e standardeve të reformave strukturore, iniciativën rajonale të Ballkanit të Hapur dhe përfitimet e saj ekonomike, si dhe integrimin e rajonit në BE dhe tregun e përbashkët të BE-së.

“Përkushtimi jonë për anëtarësimin në BE ka qenë i qartë që nga pavarësia e vendit. Ne jemi vend kandidat për anëtarësim që nga viti 2005 dhe 20 vjet më parë u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA), e cila parashikonte asociimin për dhjetë vjet. Edhe pse kjo perspektivë kohore nuk është arritur, MSA-ja është ende korniza e vetme ligjore që përcakton marrëdhëniet ndërmjet dy palëve dhe që kontribuon në stabilitetin ekonomik dhe politik të vendit për konsolidimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit”, tha Kovaçevski.

Gjithashtu në Forum do të flasin kryetarja e Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, Majlinda Bregu dhe u.d kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.

Sesioni i titulluar “Ballkani Perëndimor” menaxhimi në kohë të turbulente do të hapet pasditen e sotme nga zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq, ndërsa në mesin e folësve do të jenë të dërguarit e Posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, zëvendësndihmësi i Sekrteratit të Shtetit Gabriel Eskobar dhe të Britanisë së Madhe, Stjuard Piç dhe të Gjermanisë Maniuel Saracin dhe të Austrisë Johanes Ajgner.