Përfundon rikonstruksioni i rrugës “Sami Frashëri” në Tetovë

Tetovë, 2 korrik – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilal Kasami, ka shënuar përfundimin zyrtar të rikonstruksionit të rrugës “Sami Frashëri”, e cila gjendet përgjatë shtratit të lumit Pena përballë spitalit klinik. Sipas informacioneve të komunës, për rikonstruksionin e rrugës janë shpenzuar 3,2 milionë denarë.

“Konfirmojmë përkushtimin tonë për punë infrastrukturore në të gjitha lagjet dhe rrugët e qytetit tonë, në mënyrë që Tetova të marrë imazhin e një qyteti evropian. Në këtë rrugë u vendos linja e re e ujit, pati intervenime në rrjetin e ujërave të zeza fekale dhe atmosferike, si dhe i gjithë asfaltimi i rrugës. Gjithashtu, kjo rrugë ka marrë shtigje për këmbësorë dhe ndriçim publik LED”, tha kryetari i Tetovës Bilal Kasami.

Sot, në ditën e fundit të punës, në këtë rrugë u vendosën sinjalizimet rrugore horizontale dhe vertikale.