Pendarovski takon presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin
Shkup, 17 qershor – Presidenti Stevo Pendarovski sot realizoi takim bilateral me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Siç informoi shërbimi për shtyp i Pendarovskit, gjatë takimit është diskutuar për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale, sfidat aktuale në planin rajonal dhe multilateral dhe gjendjen e sigurisë në rajon dhe më gjerë.
Në takim, presidentët kanë shprehur kënaqësi nga dinamika në marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës duke i shqyrtuar mundësitë për zhvillimin e bashkëpunimit bilateral në të gjitha sferat me interes të ndërsjellë.
“Nga ana e tij, presidenti Pendarovski, në frymën e ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinje, e riafirmoi qëndrimin për mbështetjen e aspiratave euroatlantike të Kosovës si dhe inkuadrimin aktiv të Kosovës drejt nismave dhe forumeve rajonale ekzistuese”, thuhet në kumtesë.
Nga shërbimi për shtyp i presidentit shtojnë se bashkëbiseduesit kanë shkëmbyer mendime për gjendjet në rajon si edhe për aktualitetet në dialogun e Kosovës me Serbinë, angazhimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe më pas janë pajtuar se në dritë të sfidave të reja gjeopolitike të shkaktuara nga agresioni ushtarak rus mbi Ukrainën, zgjidhja e qetë e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë imperativ absolut për të gjithë.

