Osmani-Çaushogllu: Raporte të shkëlqyera politike mes Shkupit dhe Ankarasë, punohet në mënyrë aktive në rritjen e investimeve turke në vend

Shkup, 7 qershor – Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Turqisë ka realizuar takim me homologun e tij, Mevlut Çaushogllu. Vizita ndodh në prag të shënimit të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Gjatë takimit, siç njofton MPJ-ja janë hapur temat për bashkëpunimin bilateral, aleanca në kuadër të NATO-s, bashkëpunimin rajonal dhe multilateral, si dhe sfidat aktuale ndërkombëtare të sigurisë.

“Vitin e kaluar shkëmbimi arriti rreth 800 milionë dollarë, ndërsa të dhënat nga tremujori i parë i këtij viti tregojnë se jemi në rrugë të mirë për ta tejkaluar atë barrierë simbolike prej 1 miliard dollarësh. Jemi duke punuar që dinamika të rritet edhe më tej, gjë për të cilën vitin e kaluar Ambasada jonë në Ankara u forcua me këshilltar ekonomik”, theksoi Osmani duke theksuar rëndësinë që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ua ofron investitorëve të huaj të cilët vijnë nga Turqia.

Osmani më tej theksoi se si Qeveri punojnë në mënyrë aktive në trendin dhe dinamikën e rritjes së fluksit të investimeve të huaja nga Turqia, për çka jam i bindur se ekziston interes nga të dyja palët.

Ministrat diskutuan edhe për bashkëpunimin multilateral ndërmjet dy vendeve në OSBE, në kuadër të presidencës së ardhshme të Maqedonisë së Veriut në vitin 2023, si dhe për aleancën e NATO-s, me theks të veçantë lidhur me pasojat e invazionit rus ndaj Ukrainës. Duke theksuar domosdoshmërinë për unitet në kuadër të NATO-s, Osmani përshëndeti përpjekjet e Turqisë që të ndërmjetësojë ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike dhe përfundimin e menjëhershëm të katastrofës humanitare.

Osmani dhe Çaushogllu nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi midis Ministrive të Punëve të Jashtme në fushën e protokollit.