Në spitalin e Kozles 26 fëmijë me Covid

Shkup, 3 Gusht – Rritet numri i të shtruarve me Covid në spitalin e fëmijëve në Kozle. Për momentin në trajtim spitalor janë 26 fëmijë dhe dhjetë nëna janë pozitive me virusin. Institucioni thotë se trajtojnë edhe patologji të tjera, por me volum të reduktuar. Nuk ka vend për panik, qetësojnë mjekët, duke treguar se varianti aktual i omicron nuk është shumë i rrezikshëm për të rinjtë,.

“Është mirë që tabloja klinike e këtij lloji është shumë më e lehtë, nuk kemi raste të rënda dhe vetëm dy fëmijë janë me oksigjen. Megjithatë, duhet treguar kujdes, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët”, thotë Dr. Besnik Zeqiri, drejtor i spitalit të fëmijëve në Kozle.

Nuk ka fluks pacientësh, por pranime të reja ka vazhdimisht në departamentet e tjera infektive në vend. Shumica prej tyre janë të shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive – 32, kurse në spitalin e Kumanovës, Shtipit dhe Gostivarit janë më shumë se dhjetë.

Shkupi është një pikë e nxehtë dhe ka rastet më aktive të Covid 19, dhe më shumë se 200 pozitivë për virus janë aktualisht në Manastir, Kumanovë, Kavadar dhe Prilep.

Për të lehtësuar diagnostikimin në kryeqytet, autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar klinikat për Covid në të cilat duhet të punojnë mjekët amë dhe tashmë kanë pëlqimin e dy shoqatave. Se kur do të funksionojnë dhe nëse do të ketë rikthim të mundshëm të disa masave parandaluese, Komisioni për Sëmundjet Infektive do të vendosë në mbledhjen e së premtes.