Në Shkup shënohet Dita e Gjenocidit të Srebrenicës
Shkup, 11 korrik – Pas mbledhjes përkujtimore për shënimin e gjenocidit në Srebrenicë e cila u mbajt në Kuvend në praninë e përfaqësuesve të lartë shtetërorë, sot në parkun e Çairit në praninë e një numri të madh të qytetarëve ishin vendosur lule në Memorialin për viktimat e gjenocidit “Lulja e Srebrenicës”.
Në mbledhjen përkujtimore morën pjesë kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, deputeti Zeqir Ramçilloviq, zëvendësdrejtori i Agjencisë për Zbatimin e të Drejtave të Bashkësive dhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, Xhelal Hoxhiq, profesorë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.
Ganiu, Ramçilloviq dhe Hoxhiq në fjalimet e tyre dërguan porosi me të cilat u shpreh respekt për të vrarët e pafajshëm dhe ngushëllime për familjet e të vrarëve. Veçanërisht të rëndësishme ishin porositë e dënimit të gjenocidit dhe përgjegjësinë të cilën e kemi që të mos lejojmë që asnjëherë të përsëriten krimet dhe dhuna, por se me dialogun dhe kompromisin vetëm merren zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme pa humbje njerëzore dhe materiale.
“Me vendosjen e luleve tek Memoriali kushtuar viktimave të gjenocidit të Srebrenicës, që gjendet në territorin e Komunës së Çairit, konkretisht tek Parku i Çairit, shënuam sot 11 Korrikun. Me këtë rast ua dhamë nderimet tona të thella të gjithë viktimave të gjenocidit të Srebrenicës, duke përkujtuar se ata kanë në zemrat dhe memorjen tonë një vend tejet të veçantë. Dua po sot të përkutoj se Komuna e Çairit është shoqëri shumetnike dhe duke pasur parasysh faktin se në të jetojnë një numër i konsiderueshëm i popullit boshnjak, me aktivitetin e sotëm vetëm se po forcojmë themelet e bashkëjetesës dhe po i japim garanci të ardhmes tonë të përbashkët në Çair”, tha Ganiu
Në orët e pasdites tradicionalisht do të mbahet edhe “Marshi i paqes”.

