Mishel: Rajoni është me prioritet, do të fusim energji të reja

Bruksel, 23 Qershor – E pas kësaj, në Bruksel u anulua konferenca për media e liderëve të BE-së e cila duhej të mbahej pas Samitit. Aty duhej të flisnin presidenti francez, Emanuel Makron, si shtet kryesues aktual me BE-në, kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishell, si dhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen. Megjithatë, para fillimit të Samitit, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Zhozep Borel shprehu zhgënjimin e tij me punën e bërë në Ballkanin Perëndimor. Madje Borell foli edhe për gjetjen e ndonjë forme të re të vendimmarrjes në BE, për shkak se nuk mund të vazhdohet që një shtet i vetëm të bllokojë, si në rastin e Bullgarisë. Para Samitit foli edhe Kryetari i Këshillit, Sharl Mishel, i cili tha se duhet energji e re për procesin eurointegrues ndaj Ballkanit Perëndimor.

 “Është moment i rëndësishëm sepse është edhe vullneti i Ballkanit Perëndimor t’i japim energji procesit të Ballkanit Perëndimor, për të përçuar mesazh të qartë dhe të fortë. Sigurisht që ende ka bisedime në Bullgari. E ndjekim situatën nga afër. Jemi të përfshirë me kryesimin francez, që ta vëmë propozimin në tavolinë që të mund sa më parë të nisim negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Janë prioritetet tona më të larta dhe bëjmë gjithçka për të arritur në kohë për këtë çështje të rëndësishme”- deklaroi Sharl Mishel, Kryetar I Këshillit Evropian.