Mbi 90 për qind e amvisërive përdorin ujë nga ujësjellësi

Shkup, 27 korrik – Sipas mënyrës së furnizimit të amvisërive me ujë të pijshëm, mbi 91 për qind përdorin ujin nga çezmat publike, ndërsa mbi 12 mijë ose mbi dy për qind e amvisërive  përdorin ujë të pijshëm në shishe, tregon grupi i katërt i të dhënave nga Regjistrimi i Popullsisë, Familjeve dhe Banesave 2021,  i publikuar sot nga Enti Shtetëror i Statistikës.

Nga gjithsej 598 632 amvisëri, shumica ose 547 114 kanë ujë në banesë me kyçje nga ujësjellësi publik, 1 674 kanë një rubinet në oborr të lidhur me ujësjellësin publik, 567 kanë ujë nga rubineti i rrugës me ujë nga ujësjellësi publik.

Rreth gjashtë përqind e amvisërive në vend përdorin ujin nga ndonjë burim i veçantë. Pjesa më e madhe e tyre, 24,229, kanë ujë në apartament me lidhje me hidroforin e tyre, 4,830 përdorin ujë nga ndonjë pus i hapur, 4,720 përdorin ujë nga rubineti i rrugës me ujë nga  burimi i veçantë, 1,835 kanë ujë nga një shpim ( tub) pus, ndërsa 510 përdorin ujë nga  cisterna pa filtër, dhe 311 ujë nga  cisterna me filtër.