Mariçiq në vizitë dy ditore në Bruksel

Shkup, 13 qershor – Zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, sot dhe nesër do të jetë për vizitë zyrtare në Bruksel, ku me përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe të Komisionit Evropian do të bisedojë për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe ngjarjet aktuale në rajon, në vigjilje të mbajtjes së samitit të qershorit dhe Konferencës për Ballkanin Perëndimor të presidencës franceze, informojnë nga zyra e Mariçiqit.

Siç bëhet e ditur në kumtesë, sot zëvendëskryeministri Mariçiq do të takohet me sekretarin e përgjithshëm të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, Stefano Sanino, me ushtruesin e detyrës drejtor për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Unionit, Mikella Matuella, ndërsa do të bisedojë edhe me Simon Mordu, këshilltarin kryesor për politikë të jashtme të kryetarit të Këshillit Evropian, Shaëll Mishell.

Për nesër është paraparë brifing i Grupit të punës së Këshillit të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Zgjerim, në të cilin do të informojë për progresin e vendit në reformat në drejtim të përgatitjes së vendit për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian, pas çka do të vijojë takim me eurokomisarin për zgjerim, Oliver Varheji dhe me koordinatorin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Mark Jorna.

Vizitën në Bruksel, zëvendëskryeministri Mariçiq do ta shfrytëzojë që të takohet edhe me Ilhan Quçuk, eurodeputet bullgar dhe raportues për Republikën e Maqedonisë së Veriut në Parlamentin Evropian, ndërsa do ta vizitojë edhe Partinë e Socialistëve Evropianë.