Mariçiq – Kravinjo: Me rëndësi që ecim në rrugën europiane

Shkup, 26 Korrik – Portugalia është vend i cili absolutisht dhe padyshim na mbështet në rrugën evropiane, që nga fillimi. Para nesh janë shumë sfida, të sigurisë, energjetike dhe ekonomike, por edhe çdo krizë tjetër të cilën tani kemi mundësi ta zgjidhim me partnerët tanë në Union. Për këtë është me rëndësi që Maqedonia e Veriut fuqishëm të ecë në rrugën evropiane, tha zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq pas takimit me shefin e diplomacisë portugeze, Zhoao Gomes Kravinjo, i cili është për vizitë në vend.

Mariçiq dhe Kravinjo biseduan për hapjen e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE, si dhe sfidat të cilat e presin vendin në periudhën e ardhshme.

Siç bëri të ditur SÇE, bashkëbiseduesit kanë qëndrim të njëjtë se më 19 korrik u bë hapi historik në procesin tonë të integrimeve evropiane, me mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare dhe fillimin e procesit të skriningut, që është me rëndësi të madhe edhe për ne dhe për rajonin.

“Në periudhën e ardhshme, ne mbetemi të përkushtuar për të mbajtur një portofol pozitiv – siç konfirmohet në raportet e fundit të KE-së për vendet, por edhe në renditjet ndërkombëtare si GREKO, Fridom Haus, Transparensi Interneshënëll e të tjera”, tha Mariçiq, duke shtuar se niveli i transpozimit të ligjit të BE-së tani është 45 për qind.

“Ne do të drejtojmë përpjekjet tona për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të negociatave në të gjitha aspektet e tij përmes rishikimit të strukturës së negociatave, gjetjes së një modeli për pjesëmarrjen e shoqërisë civile në proces, do të rrisim më tej kapacitetet tona për përkthimin e ligjeve të BE-së në gjuhën maqedonase në periudhën e ardhshme – duke përfshirë edhe rishikimin gjuhësor, profesional dhe juridik dhe verifikimin e akteve të përkthyera të BE-së, si dhe krijimin e mekanizmave për komunikim transparent dhe në kohë me qytetarët tanë”, theksoi Mariçiq.

Në takim, Mariçic dhe Kravinjo diskutuan për promovimin dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh në procesin e anëtarësimit, shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira nga Portugalia në procesin e zhvillimit të negociatave, dhe u konfirmua se Portugalia mbetet një mbështetëse e fortë e anëtarësimit të plotë të Maqedonisë së Veriut në BE-së.

Kjo është vizita e parë zyrtare në vend e ministrit të Punëve të Jashtme të Portugalisë, Zhoao Gomes Kravinjo, gjatë së cilës ka takuar edhe homologun e tij Osmani, kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski.