Kleman Bon: Disa pika në kornizë kanë të bëjnë me preokupimet e veçanta të Bullgarisë

Bruksel, 21 qershor – Sekretari shtetëror për Çështje Evropiane të Francës, Kleman Bon, u përgjigj për disa dilema rreth propozimit francez për kornizën e bisedimeve, por nuk hyri në hollësi që të mos i dëmtojë bisedimet.

Në pyetjen e MIA-s gjatë konferencës së sotme për media për Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme se propozimi francez ka futur çështje dypalëshe maqedonase – bullgare në kornizën negociuese, Kleman Bon u distancua nga qëndrimi se propozimi francez është në kundërshtim me interesat e Maqedonisë së Veriut, por theksoi se duhet të merren parasysh preokupimet bullgare në mënyrë të kujdesshme.

“Ne i përmbahemi parimit, në kontakt me Komisionin Evropian dhe partnerët tanë evropianë, se korniza e bisedimeve nuk është vend për negociata thjesht dypalëshe. Duhet konstatuar se prej muajsh ka bllokadë dypalëshe. I kujdesshëm dhe me ekuilibër, por nuk pranoj se kjo do të ishte kundër interesave të Maqedonisë së Veriut, përkundrazi, në kontakt me Shkupin, përmes informacioneve nga diskutimet dypalëshe midis Shkupit dhe Sofjes, por edhe përmes kontakteve të drejtpërdrejta që kemi pasur, të cilat Komisioni Evropian kishte me të dyja palët thonë se ka disa çështje që nuk kanë karakter të drejtpërdrejtë dypalësh, por prekin preokupimet e Bullgarisë në marrëdhëniet e saj me Maqedoninë e Veriut, në kornizën e bisedimeve, në mënyrë të kujdesshme dhe të kufizuar”, deklaroi Bon.

Ai disa herë theksoi se nuk dëshiron të japë hollësi sepse bisedimet ende zgjasin dhe nuk dëshiron t’i dëmtojë.

“Shumë vende anëtare na përkujtuan çdo hap, dhe është e arsyeshme, se korniza negociuese nuk është vendi ku duhet të trajtohen të gjitha çështjet dypalëshe. Ka preokupime të cilat mund të kenë karakter transversal dhe të cilët i integrojmë në kornizën negociuese në mënyrë të targetuar. Ai është kalibrimi të cilin po tentojmë ta gjejmë, kjo është zemra e temës, ai është targetim, në frymën e barazisë dhe drejtësisë”, shtoi sekretari shtetëror francez për Evropë.

Bon theksoi se rregulli në bisedimet me BE-në është se çdo etapë hapet njëzëri për të gjitha shtetet anëtare.

“Të kujtoj, me kujdes, se rregulli i përgjithshëm për çdo vend kandidat dhe çdo vend anëtar, është se çdo etapë hapet njëzëri, çështja është se si formulohet kjo, kjo ka karakter konkret por edhe simbolik, nuk dua të hyj në hollësi ekziston rrezik për bisedimet”, shtoi Bon.

Sekretari shtetëror francez dhe kryesues me mbledhjen e tanishme theksoi se i përshëndet përpjekjet e Shkupit dhe Sofjes që në periudhën e fundit të gjejnë zgjidhje.

“Qëllimi është që të hapen bisedimet, për herë të parë pamë vullnet të mirë”, tha Bon duke e komentuar skenën e stuhishme politike, ku trazirat e përsëritura mund ta dëmtojnë procesin deri në fund të kësaj jave.

Njëherësh qeveria e Kiril Petkovit po përballet me votim të mosbesimit nga ana e deputetëve të GERB, ndërsa nuk dihet ende as nëse Petkovi ose presidenti Rumen Radev do ta përfaqësojnë Bullgarinë në samitin e BE-së.

Nënkryetari i Komisionit Evropian, Marosh Shefqoviq, nga ana e tij, theksoi se është me rëndësi që të fillojnë bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si shenjë se politika e zgjerimit të BE-së është e gjallë.

“Kjo do të hapte një kapitull krejtësisht të ri në marrëdhëniet tona me Ballkanin Perëndimor, sepse zgjerimi do të bëhet më i prekshëm, do të hyjmë në negociata konkrete. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dihet se janë shumë të përgatitura dhe ne llogarisim në javët e fundit të presidencës franceze, mbështesim përpjekjet e tyre, duam ta bëjmë të prekshme perspektivën e BE-së për Ballkanin Perëndimor.

I pyetur për pjesëmarrjen e kryeministrave të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe presidentit të Serbisë në Konferencën e ardhshme për Ballkanin Perëndimor, për të cilën të tre duhet të marrin vendim nëse do të udhëtojnë në Bruksel, sekretari shtetëror francez shpreson se sa më shumë pjesëmarrës do të jenë pjesë e saj.