Gërkovska: Të rritet transparenca dhe llogaridhënia në sport
Shkup, 8 gusht – Nevojitet të gjindet model më i mirë për sistemin e vauçerëve në sport, i cili do të jetë më i drejtë dhe do të realizohet direkt përmes klubeve sepse një konkludim i përgjithshëm është se modeli aktual i pagesës përmes federatave nuk funksionon siç duhet dhe natyrisht të rritet transparenca dhe llogaridhënia në sport, thotë zëvendëskryetarja e Qeverisë e obliguar për politika për qeverisje të mirë Sllavica Gërkovska.
Grkovska, e cila sot ishte mysafire në programin e mëngjesit të RTVM, theksoi se problemi me korrupsionin në sport është i njohur edhe nga Kombet e Bashkuara dhe për herë të parë është vendosur në programin e tyre si një prej problemeve kryesore të cilat në nivel botëror do të duhet të zgjidhen.
Dhe pikërisht për këtë, thekson kabineti i saj, në bashkëpunim me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për luftë kundër drogës dhe krimit (UNODC), filloi organizimin e konferencave në fushën e sportit për të dëgjuar të gjitha dobësitë e subjekteve sportive. Deri më tani janë mbajtur dy konferenca profesionale, njëra në Shkup dhe tjetra në Strumicë.
“Kemi vendosur të flasim hapur për korrupsionin në sport dhe kjo u kuptua nga të gjithë se për herë të parë dikush nga struktura qeveritare e ngriti këtë çështje. Mendoj se mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet është të përballesh me to dhe të flasësh hapur për to. Në periudhën në vijim do t’i përkushtohemi realizimit të konkluzioneve të dy konferencave, veçanërisht në pjesën e ndryshimit të Ligjit për sport, së bashku me ministrin e Drejtësisë Nikolla Tupançeski, sepse ai ligj është i Ministrisë së Drejtësisë dhe natyrisht me drejtorin e Agjencisë për rini dhe sport Naumçe Mojsoski dhe të gjithë aktorët tjerë të interesuar”, potencoi gjatë emisionit Gërkovska.

