Gërkovska – Moliterno: Mbi 140 funksionarë i kaluan trajnimet për Kodin e Etikës

Shkup, 25 korrik – Mbi 140 funksionarë i kaluan trajnimet për Kodin e Etikës, ndërsa rreth 120 bartës të funksioneve publike i plotësuan testet për integritet, kumtoi zëvendëskryeministrja për Politika të Qeverisjes së Mirë Sllavica Gërkovska në takimin e sotëm të punës me ekspertin botëror për etikë dhe integritet Xhim Moliterno, i cili është i angazhuar në Projektin për Pjesëmarrje Civile përmes USAID-it.
Gërkovska informoi se përforcimi i integritetit dhe etikës, si dhe ndryshimi i ndërgjegjes së bartësve të funksioneve, por edhe të të punësuarve në administratë, është një parakusht kyç në procesin e ndërtimit të sistemit të menaxhimit të mirë.
Ajo theksoi se Kabineti i saj në periudhën e kaluar, në bashkëpunim me USAID-in dhe profesoreshën e Institutit për Hulumtime Politike, Juridike dhe Sociologjike pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Mirjana Borota Popovska ka zbatuar katër trajnime për Kodin e sjelljes etike të anëtarëve të Qeverisë dhe bartësve të funksioneve publike të emëruar nga ana e Qeverisë, ku janë përfshirë mbi 140 bartës të funksioneve publike të emëruar në periudhën nga janari deri në prill të vitit 2022.
Siç informoi Gërkovska, në periudhën e kaluar rreth 120 bartës të funksioneve publike kanë plotësuar teste të integritetit, për të cilat tani po vijon procesi i analizës.
Profesor Moliterno, i cili mori pjesë në krijimin e metodologjisë dhe të testeve për integritet, vlerësoi se rezultatet e testeve mund të jenë një bazë e mirë për krijimin e politikave dhe planeve të mëtejshme, por mund të shërbejnë edhe për përmirësimin e ardhshëm të testeve për integritet.
Zëvendëskryeministrja Gërkovska theksoi se për të është e rëndësishme që ky proces të jetë i qëndrueshëm dhe të mos varet nga një person, por në të njëjtën kohë të mundësojë ndryshim të ndërgjegjes me qëllim që të ndërtojmë një shoqëri efikase e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve.
Në këtë kontekst, profesori Moliterno theksoi se roli i Kodit të Etikës dhe testeve për integritet është që të kontribuojnë në ndryshimin e ndërgjegjes dhe sjelljes në varësi të rolit që secili ka në shoqëri.