Ende është aktiv zjarri afër fshatit Furka, janë shuar 12 zjarre tjera

Dojran, 8 gusht – Zjarri në afërsi të fshatit Furkë ndërmjet Komunave Dojran dhe Bogdancë është ende aktiv, por me intensitet të zvogëluar. Po digjet një pyll me pisha të degraduar. Zjarri është aktiv në degën në anën perëndimore në drejtim të Bogdancit dhe një degë e vogël në drejtim të pellgut të peshkut “Elita”.

Siç informon Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK), rreth orës 5 të mëngjesit të sotëm, në terren kanë dalur rreth 40 deri në 50 persona nga NJZT-Gevgjeli, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) -Valandovë, dega JPNSH Kozhuv dhe popullata lokale.

Në 24 orët e fundit janë shuar 12 zjarre në vend.

Në Strumicë, në afërsi të fshatit Angelci dhe Velusa, digjej barë i thatë, të cilin e kanë shuar dy automjete zjarrfikëse dhe gjashtë zjarrfikës.

Në Valandovë, afër fshatit Piravë, digjej pyll i degraduar. Zjarri është shuar nga NJZT Valandovë me gjashtë zjarrfikës dhe dy automjete dhe nga dega e JPNSH-së Sallanxhak-Valandovë, me gjashtë punëtorë dhe dy automjete.

QRMK – Shtip njofton se zjarri në zonën e quajtur Kantoni Lezovski është shuar me një automjet zjarrfikës dhe tre zjarrfikës.

Në Tetovë, digjej bari i thatë dhe mbeturina pranë objektit të vjetër të Shtëpisë Korrektuese-Përmirësuese Tetovë. Zjarri është shuar me dy automjete zjarrfikëse dhe katër zjarrfikës.

Në Komunën e Kërçovës, tek fshati Llozhan po digjej barë i thatë. Zjarri është shuar me automjet zjarrfikës dhe tre zjarrfikës.

Zjarri i cili dje ka filluar në fshatin Gajre të Komunës së Tetovës është lokalizuar plotësisht në orën 14:40 nga NJZT Tetovë me dy automjete zjarrfikëse dhe gjashtë zjarrfikës.

Poashtu, është shuar zjarri në afërsi të rrugës së vjetër nga Tetova për në Zhelinë, ku digjej bar i thatë dhe mbeturina.

Në fshatin Çellopek të Komunës së Bërvenicës, fëmijët e vegjël nga pakujdesia i kanë vënë flakën barit, është intervenuar me dy automjete zjarrfikëse dhe pesë zjarrfikës.