Dauti: Vendimi për rigjykimin e rastit “Alfa”, deri javën tjetër 

Shkup, 21 qershor – Ramiz Dauti, dëshmitar në rastin “Alfa”, pret që deri javën tjetër të merret vendimi për rigjykimin e rastit “Alfa”. Ai thotë se Gjykata ka shkelur të gjitha afatet ligjore dhe se nuk ka asnjë arsye për të zvarritur më tepër vendimin lidhur me kërkesën e palës mbrojtëse për rigjykimin e rastit.

“Lënda për rastin “Alfa” ka qenë në Gjykatën e Apelit, për të akuzuarin tjetër që është i dënuar për të njëjtën vepër, ajo seancë ka mbaruar gati një muaj e gjysmë. Afatet ligjore i ka kaluar, deri tash është dashur të merret edhe vendimi dhe të shpallet. Sa kam unë informacion gjykimi i personit tjetër është përfunduar, tash me automatizëm lënda është në Gjykatën Themelore dhe pritet që në ditët në vijim të merret vendimi. Nuk ka ndonjë arsye ligjore që mund ta zvarrit më tepër, presim që në ditët në vijim, brenda javës ose javës së ardhshme të merret vendimi edhe për rigjykim në bazë të ekspertizës që e kemi dërguar. Ne si mbrojtje kërkesën që e kemi dërguar ajo i ka kaluar të gjitha afatet kohore, kështu që deri tash është dashur të merret vendimi, po të kishte funksionuar në bazë të ligjit. Unë prapë mendoj që pritet në ditët në vijim të merret ndonjë vendim”, tha Ramiz Dauti.

Në qershor të vitit të kaluar, mbrojta deri te Gjykata Penale dorëzoi edhe ekspertizën e kryer jashtë shtetit, në të cilën thuhet se Agim Islami nga Shkupi është i pafajshëm dhe është dënuar mbi dëshmi joligjore dhe të kurdisura. Rasti “Alfa” ka ndodhur më 26 nëntor 2008, në parkingun e Fakultetit matematiko-natyror në Shkup, nga ku jetën kishte humbur polici shqiptar nga njësiti Alfa, ndërsa ishin plagosur edhe dy kolegët e tij maqedonas me të cilët ai kishte qenë në patrullë. Në prill të vitit 2010, për këtë vrasje me burgim të përjetshëm u dënua Rexhail Qerimi dhe Agim Islami.