Çfarë bashkëpunime përfshihen me dialogun strategjik me SHBA-në?

Shkup, 1 qershor – Ekonomia, energjetika, investimet, forcimi i institucioneve demokratike, mbrojtja dhe siguria, kultura dhe fusha të tjera të përfshira me Dialogun strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, që do të mbahet nesër në Uashington.

Delegacionin e Maqedonisë së Veriut e kryeson ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, i cili nga vizita e punës në Tokio, u nis për në Uashington, e në të marrin pjesë ministrat e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ajo e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe ajo e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska. Nikoqi zyrtar nga pala amerikane do të jetlë ndihmës sekretarja, Karen Donfrid, e cila para do kohë vizitoi Maqedoninë e Veriut.

Ambasadorja e SHBA-së në vend Kejt Mari Bërns në pjesëmarrjen e djeshme në Alsat, duke folur për Dialogun strategjik prezantoi një pjesë të temave që pritet të hasen në agjendën e takimit.

– Agjenda është ende në përgatitje e sipër, por ideja është të përfshihen më shumë tema nga prosperiteti ekonomik, forcimi i institucioneve demokratike, mbrojtja dhe siguria, si dhe sjellja e ekspertëve që do të diskutonin për prioritetet e secilës palë. Ministri i jashtëm Osmani, do të kryesojë delegacionin nga Maqedonia e Veriut, lista e përfaqësues të tjerë është ende duke u finalizuar. Nga ana jonë, ndihmës sekretarja Karen Donfried, e cila para do kohë vizitoi Maqedoninë e Veriut, do të jetë nikoqirja zyrtare, por do të ketë mundësi për takime me zyrtarë të tjerë, theksoi Bërns.

Ambasadorja e SHBA-së vlerësoi se dialogu strategjik është një mundësi e mirë për bashkëpunim të vazhdueshëm mes dy vendeve dhe është një udhërrëfyes i shkëlqyeshëm për vazhdimin e partneritetit mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut.

“Qëllimi i Dialogut strategjik është të shqyrtohen fushat që ende nuk i kemi studiuar plotësisht. Ka ende hapësirë për të punuar në çështjet nga fusha e mbrojtjes dhe sigurisë, por edhe në shumë fusha të tjera si ekonomia, energjetika, ndryshimet klimatike, puna me të rinjtë, shkëmbimi kulturor, arsimi… mendoj se Dialogu strategjik ofron mundësi interesante për të ardhmen dhe dërgon sinjal se SHBA-ja dëshiron të investojnë edhe më shumë në të. Mund të jetë plan i mirë për të dyja vendet që të vazhdojnë të ndërtojnë partneritetin e tyre, deklaroi ambasadorja Bërns, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarit se çfarë mesazhi do t’i dërgonte pasardhëses së saj në Shkup.

Nga Kabineti i Osmanit dje njoftuan se nga Tokio udhëton për në Uashington, ku do të kryesojë delegacionin qeveritar në Dialogun e ardhshëm strategjik dhe përkujtoi se Maqedonia e Veriut është vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që fillon proces të këtillë të rëndësishëm me SHBA-në.

Në kuadër të vizitës në Uashington, Osmani, siç është paralajmëruar, do të realizojë edhe disa takime dypalëshe me zyrtarë të lartë shtetërorë të SHBA-së, si dhe me personalitete të shquara nga sektori civil dhe organizata think-tenk.

Ministria e Ekonomisë, nga ana tjetër, theksoi se si pjesë e bisedimeve të Dialogut strategjik, vend të rëndësishëm, mes tjerash, do të kenë edhe temat nga fusha e energjetikës, bashkëpunimit ekonomik, tregtisë dhe investimeve.

Në kuadër të vizitës, Bekteshi do të realizojë edhe takim punuese me Endru Lajt, ndihmës sekretar për energjetikë për çështje ndërkombëtare në Sekretariatin për Energjetikë të SHBA-së dhe do të marrë pjesë në takimet me përfaqësuesit e Asociacionit të Biznesit Amerikan- të Evropës Qendrore (ACEVA) dhe me përfaqësues të Institutit Demokratik Kombëtar dhe Institutit Republikan Kombëtar.

Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, e cila prej dje e filloi vizitën e punës në SHBA, në Pentagon do të takohet me nënsekretarin e Mbrojtjes, përgjegjës për çështje politike Kolin Kall, ndërsa do të ketë edhe takime me ndihmësen e sekretarit të Mbrojtjes Seleste Valander, komandantin e Gardës kombëtare të SHBA-së, gjeneralin Daniell Hokanson, komandantin e Gardës Kombëtare të Vermontit, gjeneral-majorin Gregori Najt dhe sekretarin e Ushtrisë këmbësorike të SHBA-së, Kristin Vormount.

Siç informoi Ministria e Mbrojtjes, gjatë vizitës së punës në SHBA, ministrja Petrovska do të realizojë takim edhe me ndihmësen e sekretarit shtetëror dhe shef i Byrosë për punë ushtarake-politike, Xhesika Luis, në Departamentin e Shtetit.

Përmes mbajtjes së Dialogut strategjik, Maqedonia e Veriut dhe SHBA-ja hyjnë në një fazë të re në ndërtimin e relacioneve të ndërsjella, gjë që është veçanërisht e rëndësishme jo vetëm për vendin, por edhe për të gjithë rajonin, veçanërisht në kontekstin e kërcënimeve aktuale të sigurisë. Njëherësh, kjo është edhe reflektim i angazhimeve tona të përbashkëta për forcimin e lidhjeve dhe promovimin e vlerave të përbashkëta për zhvillim demokratik dhe stabilitet në rajon”, theksoi Petrovska.

Kostadinovska-Stojçevska, nga ana tjetër, siç njoftoi dje Ministria e Kulturës, në kuadër të qëndrimit, do t’i vizitojë Institutin Demokratik Kombëtar (NDI) dhe Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), ndërsa është parashikuar që një segment nga diskutimet të jetë i përkushtuar në praktikë gjë që është e nevojshme në shtetin tonë në mënyrë që të parandalohet tregtia e paligjshme e veprave artistike dhe artefakteve.

“Në pjesën e kulturës, për Dialogun strategjik me SHBA-në është me rëndësi të veçantë shkëmbimi i përvojave për trashëgimi kulturore, veçanërisht në pjesën e tregtisë së paligjshme me artefakte, kështu që në takimin me Shoqatën do të nënshkruhet marrëveshje për bashkëpunim, që më pas duhet të rezultojë me zgjidhje juridie, si dhe për shkëmbimin eventual të kuadrit për zbatimin e suksesshëm në tërësi”, porositi Kostadinovska-Stojçevska nga SHBA-ja.

Ajo theksoi se sipas vlerësimeve, më shumë se 1.000 artefakte udhëhiqen si të vjedhura nga Maqedonia e Veriut.

Dialogu strategjik nuk është zëvendësim për BE-në

Pas vetos dhe pasigurisë bullgare rreth mundësisë për fillimin e bisedimeve në qershor, është ngritur çështja nëse Dialogu strategjik me SHBA-në është një lloj zëvendësimi për BE-në. Ambasadorja Bërns para do kohë në Shkup deklaroi se Maqedonia e Veriut ka bërë detyrën e saj në raport me anëtarësimin në BE dhe shtoi se konsideron se procesi duhet të vazhdojë sa më parë që të jetë e mundur.

Ajo në fillim të majit, në ditën e hapur për paraqitjen e fluturakeve që është pjesë e trajnimit “Swift Response 22″ në aeroportin sportiv “Stenkovec” shfaqi shpresë se Maqedonia e Veriut në qershor do të marrë datë për fillimin e bisedimeve.

Ai sqaroi se Dialogu Strategjik i njoftuar me Shtetet e Bashkuara është një proces që ka filluar edhe më gjatë dhe nuk është zëvendësim për anëtarësimin në Bashkim. Ajo bëri të ditur se forcimi i bashkëpunimit midis dy vendeve tani po zhvillohet edhe në drejtimin e asaj që Maqedonia e Veriut është anëtare e plotë e NATO-s.

“Thamë se pas anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, raporti ynë do të ndryshohet, për arsye se u bëmë aleatë, rrimë në tavolinë të njëjtë, kemi zë të përbashkët dhe kuptohet bashkëpunimi ynë evoluoi në këtë drejtim”, tha Bërns.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski në ngjarjen e njëjtë theksoi se Dialogu strategjik përgatitet tashmë disa muaj, praktikisht me ardhjen e Qeverisë së re, si dhe se MPJ-ja ka punuar së bashku me kolegët nga SHBA-ja në konceptimin e formës së zhvillimit të dialogut strategjik.