Bushi në promovimin e konceptit për avancimin e “Komunikimit me komunitetet” dhe “Guximi blu” i policisë
Shkup, 18 korrik – Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Nazim Bushi dhe drejtori i Byrosë për Siguri Publike Sasho Tasevski sot morën pjesë në punëtorinë e nivelit strategjik me temë “Komunikimi me komunitetet” dhe “Guximi blu” i policisë, organizuar në bashkëpunim me ICITAP – Programi ndërkombëtar i asistencës për trajnim në hetimet penale të Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, zëvendësministri Bushi theksoi përpjekjet e përbashkëta në forcimin e konceptit të policimit në bashkëpunim dhe komunikim me komunitetin dhe konceptin e një mekanizmi efektiv për transformimin e kulturës ekzistuese policore.
“Mund të them lirisht se koncepti i bashkëpunimit dhe komunikimit mes policisë dhe komunitetit u zhvillua nga një shqyrtim kritik se cila duhet të jetë përgjigja e policisë ndaj qytetarëve, komunitetit dhe problemeve me krimin. Filozofia e bashkëpunimit dhe e komunikimit mes policisë dhe komunitetit ripohon parandalimin proaktiv të krimit që në fakt është misioni bazë i policisë. Bashkëpunimi dhe komunikimi mes policisë dhe komunitetit është forcuar me konceptin e përgjegjësisë së përbashkët për sigurinë e popullatës vendase”, theksoi Bushi.
Zëvendësministri Bushi shpjegoi për projektin “Guximi Blu” se përmes tij punonjësit e policisë do të mësojnë taktikat gjatë incidenteve dhe parandalimin e pasojave që rrjedhin prej tyre dhe se nëpërmjet këtij koncepti, punonjësit e policisë do të zhvillojnë edhe rezistencën mendore që në thelb do t’u mundësojë atyre qëndrueshmërinë e nevojshme, cilësi që duhet të zotërojë çdo nëpunës policor.

