Borell i zhgënjyer me punën në Ballkanin Perëndimor

Bruksel, 23 Qershor – Zhozep Borel shprehu zhgënjimin e tij me punën e bërë në Ballkanin Perëndimor. Madje Borell foli edhe për gjetjen e ndonjë forme të re të vendimmarrjes në BE, për shkak se nuk mund të vazhdohet që një shtet i vetëm të bllokojë, si në rastin e Bullgarisë. Para Samitit foli edhe Kryetari i Këshillit, Sharl Mishel, i cili tha se duhet energji e re për procesin eurointegrues ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Nuk jemi aty ku duhej të ishim me Ballkanin Perëndimor. Sot duhet të nisnim bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe nuk mund ta fsheh zhgënjimin. Zhgënjimi im është zhgënjim i shumë njerëzve. Duhet të nisim… ka ende shpresë, nuk e di se çfarë mund të bëjë Kuvendi bullgar në orët në vijim por punët nuk po shkojnë mirë dhe ne duhet të provojmë ta rregullojmë këtë. Kjo tregon edhe njëherë se unanimiteti është problem i madh për të marrë vendime, andaj duhet ta mendojmë se si të marrim vendime në BE sepse nuk mund të vazhdojmë që një shtet i vetëm të bllokojë për muaj të tërë”- pohoi Josep Borrell, Përfaqëseues i Lartë i Be-Së Për Politikë Të Jashtme Dhe Siguri.