Angeloski: Jemi në një cunami ekonomik, biznesi pret mbështetje

Shkup, 28 korrik – Ndërmarrjet gjenden në një situatë tejet të vështirë, e  shkaktuar nga rritja e çmimeve të energjisë, ndërsa për të shmangur pasojat e rënda dhe afatgjate, nevojitet mbështetja adekate shtetërore, deklaroi kryetari i Odave ekonomike të Maqedonisë, Trajan Angelovski në intervistën për Blumberg Adria.

Me rritjen enorme të çmimeve të energjisë, tha ai, aktivitetet e biznesit të shumë ndërmarrjeve bëhen të paqëndrueshme.

“Për këtë shkak, një numër i konsiderueshëm i ndërmarrjeve e ndalin prodhimin, ndërsa disa përpiqen ta përshtatin atë në regjimin e natës ose me disa modifikime të tjera që do të mundësojnë konsum më të ulët të energjisë. Fakti është se Maqedonia nuk ndikohet drejtpërdrejtë nga çmimi i gazit, sepse nuk ka rrjet të madh të shpërndarjes, por rritja e çmimit të gazit në bursë çon menjëherë në rritje të çmimit të energjisë elektrike, dhe kjo ka efekt tejet negativ”, theksoi Angelovski.

Ai i referohet edhe faktit se çmimet e disa lëndëve të para po shkojnë drejt stabilizimit, por megjithatë çmimi i derivatit kryesor, energjensat, jo që nuk është stabil, por thyen rekorde.

“Çmimi i gazit ka arritur 2.000 dollarë dhe askush nuk mund të parashikojë se deri ku do të shkojë kjo rritje, ndërsa energjia është baza e të gjitha llogaritjeve. Kriza ekonomike në të cilën gjindemi është në nivelin e një fatkeqësie elementare, domethënë një cunami energjetik, pa mbështetje serioze të shtetit, ekonomia do të vuajë pasoja të mëdha. Presim që institucionet kompetente të arsyetojnë rolin e tyre dhe të ndërmarrin hapa të guximshëm për t’i ndihmuar kompanitë në këtë moment vendimtar”, thekson Angelovski.

Në pyetjen e gazetarëve se si i komenton masat e paralajmëruar nga zyrtarët qeveritarë pas takimit me një nga odat ekonomike, ai tha se kërkesat që janë dorëzuar konsiderohen jothelbësore, më shumë janë modifikime të kushteve të caktuara që kanë ekzistuar në të kaluarën, e të cilat janë të parëndësishme, si në sasi, ashtu edhe në shtrirje.

“Lidhja e Odave ekonomike është në kërkim të reformave më të guximshme në investimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, si dhe të ndihmojë kompanitë në disponueshmërinë e energjisë elektrike nga termocentralet shtetërore”, tha Angeloski.

Në intervistë ai u përqëndrua në parashikimet, sipas të cilave ekonomia vendore do të hyjë në recesion në tremujorin e fundit të këtij viti, si dhe për faktin se fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian mund të jetë një sinjal pozitiv për investitorët e huaj.

“Presim që fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian të ndikojë pozitivisht në tërheqjen e investimeve të huaja. Do të shohim në periudhën e ardhshme të re se çfarë do të jetë, sepse vendet evropiane po përballen me një sërë problemesh që lidhen me krizën energjetike”, shtoi Angelovski.