Agjencia për rini dhe sport fillon me aktivitetet me rastin e ditës ndërkombëtare të rinisë

Shkup, 8 gusht – Me rastin e 12 Gushtit – Ditës ndërkombëtare të rinisë, Agjencia për Rini dhe Sport në periudhën prej 8 deri 12 gusht organizon aktivitete të shumta, ndërsa do të udhëhiqet sipas rekomandimeve të Kombeve të Bashkuara, të cilat këtë vit kanë vendosur theksin në shfrytëzimin e potencialit të plotë të të gjitha gjeneratave drejt arritjes së qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm.

Për sot është paraparë shoqërim joformal me të rinjtë në Casa bar në Shkup, me qëllim që të shënohet fillimi i javës së rinisë.

“Me këtë ngjarje e shënojmë fillimin e javës së rinisë dhe Procesit të krijimit të Strategjisë së re kombtare të rinisë, me përkrahje nga misioni i përhershëm i OSBE-së në Shkup dhe UNDP-së. Në ngjarjen do të marrin pjesë faktorë relevantë të Bashkësisë ndërkombëtare, përfaqësues të organizatave rinore dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore”, informoi Agjencia.

Fjalime do të mbajnë drejtori i Agjencisë për rini dhe sport, Naumçe Mojsovski, zëvendës shefi i misionit të OSBE-së, Xhefri Goldshtajn dhe përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Armen Grigorian.

Më 11 gusht në hotelin “Panoramika” në Shkup do të mbahet konferenca ndërkombëtare për të rinjtë me temë “Të rinjtë në Ballkanin e hapur-mundësi dhe perspektiva për përparim të sigurtë në rajonin”.