Qeveria përgatit masa të reja anti-krizë

Tetovë, 31 korrik – Qeveria dhe Ministria e Financave përgatisin masa të reja anti- krizë për kompanitë dhe qytetarët dhe sapo të përpilohen do t’i prezantohen opinionit, deklaroi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski pas vizitës në Tetovë.

“Ministria e Financave edhe për momentin, në ditë jo pune, punon në definimin e masave konkrete dhe sapo të jenë gati ato do t’i prezantohen opinionit”, deklaroi Kovaçevski.

Ai theksoi se me ribalancin e miratuar të Buxhetit janë paraparë 76 milionë euro si dhe tashmë ka filluar dialogu me Odat ekonomike dhe kompanitë për sigurimin e energjisë elektrike.

“Dhe kur e kemi konceptuar ribalancin e Buxhetit shumë qartë e theksuam dhe tashmë është përfshirë në rebalancin e Buxhetit. Janë planifikuar 76 milionë euro. Ka filluar dialogu me Odat ekonomike lidhur me definimin për furnizimin me energji elektrike. Poashtu vendimet e para janë miratuar lidhur me furnizimin me energji termike për Qytetin e Shkupit si dhe energjisë elektrike për të gjithë qytetarët dhe kompanitë në vend. Para nesh është një dimër i vështirë në Evropën e pasluftës. Këtë e kam thënë që në maj, por të gjithë u siguruat me deklaratat e të gjithë kryeministrave nga rajoni, por edhe nga Evropa.

Ato masa kundër krizës do të riorientohen ndaj kategorisë më të prekur në vend, siç ka qenë deri tani. Prandaj qytetarët që janë me të ardhura të ulëta dhe që kanë më pak se të tjerët duhet ta dinë se do të jenë të parët. Poashtu, detyra kryesore do të jetë sigurimi i energjisë elektrike dhe energjensave gjatë dimrit”, deklaroi Kovaçevski.

Kryeministri theksoi se Maqedonia e Veriut qindpërqind furnizohet me gaz nga Rusia dhe do të duhet të sigurohet furnizim i pandërprerë edhe përmes burimeve alternative.

“Prandaj ministrat resorial po punojnë bashkë me vendet fqinje për këtë. Nëse ka mungesë të energjisë elektrike në kontinentin evropian tashmë jemi në bisedime me KE-në për sigurimin e energjisë elektrike. Kompanitë nga sektori elektroenergjetik tashmë po punojnë në sigurimin e likuiditetit të nevojshëm si dhe lëndët e nevojshme për prodhim të pandërprerë të energjisë elektrike”, tha mes tjerash kryeministri Kovaçevski.