ESHS: Të gjitha llojet e shpenzimeve në shëndetësi shënojnë rritje në vitin 2020
Shkup, 25 korrik – Shpenzimet e përgjithshme rrjedhëse në shëndetësi në vitin 2020 arritën në 51.750 milionë denarë dhe shënojnë rritje prej 5,7 për qind në krahasim me vitin 2019, publikoi sot Enti Shtetëror i Statistikës.
“Të gjitha llojet e shpenzimeve në shëndetësi, sipas funksioneve shëndetësore dhe skemave shëndetësore, shënojnë rritje në vitin 2020 në krahasim me vitin 2019. Shpenzimet e përgjithshme për trajtim në skemat shëndetësore në vitin 2020 kanë qenë 28 445 milionë denarë, derisa në vitin 2019 kanë qenë 27 657 milionë denarë, që paraqet rritje prej 2,8 për qind, informojnë nga Enti i Statistikës.
Shpenzimet e spitaleve për mjekim kanë qenë 17 110 milionë denarë, që është 84 për qind të shpenzimeve të përgjithshme të spitaleve sipas funksioneve shëndetësore.
Sipas ofruesve të mbrojtjes shëndetësore, pjesëmarrja e spitaleve është më e madhe dhe arrin 20 361 milionë denarë në vitin 2020, ndërsa 18 818 milionë denarë në vitin 2019.
“Pjesa e mekanizmave qeveritare (buxhetore) dhe sigurimit të detyrueshëm shëndetësor në shpenzimet rrjedhëse për shëndetësi është më e madhe dhe në vitin 2020 ato arrijnë në 31 337 milionë denarë, ndërsa në vitin 2019 kanë qenë 29 556 milionë denarë”, thonë nga Enti Shtetëror i Statistikës.

