Ministri Osmani pret në takim ambasadorin e ri briatnik

Shkup, 20 Korrik – Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot pati takim me Ambasadorin e sapoemëruar të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Metju Loson, me rastin e dorëzimit të kopjeve të letrave kredenciale”.

“I urova sukses në misionin diplomatik me bindje se me përvojën e tij dhe angazhimin personal do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejmë të raporteve mes dy vendeve partnere dhe thellimin e bashkëpunimit. Me Mbretërinë e Bashkuar kultivojmë marrëdhënie të shkëlqyera politike dhe ekonomike, të cilat në kontinuitet i ndërtojmë në frymën e miqësisë së ndërsjellë dhe dinamikës pozitive të komunikimit tonë”, shkruan Osmani.

Osmani shprehu kënaqësi nga dinamika në kuadër të marrëdhënieve tregtare ndërmjet dy vendeve, duke shpresuar se të njëjtat do të vazhdojnë të avancohen intensivisht edhe gjatë periudhës së ardhshme, veçanërisht duke u bazuar në progresin tregtar të arritur me nënshkrimin e Marrëveshjes për Partneritet, Tregti dhe Bashkëpunim nga viti 2020.

“Mirënjohje për mbështetjen dhe ekspertizën të cilën shteti ynë në vazhdimësi e merr nga Mbretëria e Bashkuar në kuadër të proceseve reformuese të lidhura me procesin tonë eurointegrues në emër të avancimit të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në shtetin tonë dhe rajonin”, tha Osmani pas takimit.