Ekipe të kryqit të kuq do të patrullojnë nëpër Shkup përshkak temperaturave të larta

Shkup, 20 korrik – Pas paralajmërimeve për temperatura jashtëzakonisht të larta që do të përfshijnë qytetin e Shkupit dhe rrethinën e tij, 30 vullnetarë të trajnuar me automjete të Kryqit të Kuq do të jenë në terren dhe do të patrullojnë në lokacionet më frekuentuese të qytetit – stacionet e autobusëve, ambulancat, tregjet… gjatë ditëve të punës në periudhën 21-28 korrik.

Në këto lokacione, siç informojnë nga Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit, përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me popullatën, do të shpërndajnë materiale informative/fletushka me këshilla për mbrojtjen nga valët e të nxehtit, këshilla për konsumimin dhe përgatitjen e ushqimit dhe rekomandime për konsumimin e ujit.

“Ekipet do të shpërndajnë shishe me ujë dhe nëse është e nevojshme do të masin tensionin e qytetarëve që ankohen për probleme shëndetësore. Të gjithë qytetarët do të marrin këshilla për mënyrat e parandalimit nga temperaturat e larta. Në rastet e intervenimit, nëse vërehet problem më i rëndë shëndetësor, ekipet do të transportojnë në objektin më të afërt shëndetësor, ose në shtëpinë e personit që ka nevojë për terapi në shtëpi”, thonë nga Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit.

Nga atje po ashtu informojnë se në drejtim të përkujdesjes për gjendjen shëndetësore dhe psikofizike të të pastrehëve në qytetin e Shkupit, si një nga kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve, në pikën e të pastrehëve të Kryqit të Kuq në Momin Potok, në dispozicion është numri i telefonit 071/223-972 për raportime nga qytetarët për personat e pastrehë të prekur nga vala e të nxehtit.

Ekipet mobile, të disponueshme dhe që funksionojnë në temperatura jashtëzakonisht të larta, të përbëra nga një mjek dhe një ndihmës mjekësor, do t’u ofrojnë ndihmë dhe mbështetje të pastrehëve duke shpërndarë ujë, matjen e presionit të gjakut dhe për rastet më të rënda dhe intervenuese do të sigurohet edhe transport.

Sipas Kryqit të Kuq, aktivitetet në këtë fushë mbështeten nga Qyteti i Shkupit.