Gençovska: Bullgaria nuk mund t’i detyrojë anëtaret e BE të pranojnë gjuhën maqedonase
Sofje, 17 korrik – Njëzet e gjashtë vende-anëtare të Bashkimit Evropian kanë qëndrimet e tyre lidhur me gjuhën zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa Bullgaria nuk mund t’i detyrojë ta pranojnë qëndrimin e tyre.
Këtë sot e theksoi ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Teodora Gençovska gjatë konferencës për shtyp pas nënshkrimit të protokollit dypalësh mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se Bullgaria plotësisht do ta respektojë vendimin e Kuvendit Popullor.
“Bullgaria nuk devijon lidhur me qëndrimin e saj për gjuhën zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Plotësisht e respektojmë vendimin e Kuvendit Popullor, sipas të cilit Bullgaria nuk e njeh këtë gjuhë. Në kontekst të 26 vendeve të tjera anëtare, megjithatë, ata kanë pozicionet e tyre dhe ne në asnjë mënyrë nuk mund t’i detyrojmë që ta pranojnë qëndrimin tonë. Por, pozicioni bullgar është i garantuar në të gjithë kornizën negociuese”, deklaroi Gençovska.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska, tha se gjatë caktimit të datës për konferencën e parë ndërqeveritare nga ana e Presidencës Çeke me BE-në, Republika e Maqedonisë së Veriut do të ketë një konferencë ndërqeveritare politike, ndërsa më pas autoritetet në Maqedoninë e Veriut duhet ta fillojnë procedurën, që të ndryshohet Kushtetuta me qëllim që në të përfshihen edhe bullgarët lokalë.
Siç informoi, madje më pas do të ketë një konferencë të dytë ndërqeveritare në të cilën në fakt do të fillojë procesi negociues, por kjo do të varet nga autoritetet në Maqedoninë e Veriut.
“Mund të zgjasë tre muaj, siç ishte rasti kur u ndryshua emri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, por mund të vazhdojë edhe për dy vjet”, tha Gençovska.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, pas seancës së djeshme qeveritare në të cilën u miratua propozimi francez dhe pas së cilës e paralajmëroi 19 korrikun si datë për Konferencën e parë ndërqeveritare, e cila duhet të mbahet në Bruksel, porositi se gjuha maqedonase është e garantuar dhe se nuk do të negociohet për çështjet identitare.
“Ne sot kemi një kornizë negociuese në të cilën gjuha dhe identiteti maqedonas ruhen, çështjet historike janë jashtë saj, ndërsa ne tashmë jemi në hap të mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare që do të shënojë fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, theksoi Kovaçevski.

