Korrupsioni është arsyeja kryesore për shpërnguljen e të rinjve
Shkup, 17 korrik – Katër nga dhjetë të rinj do të largoheshin nga shteti për shkak të nivelit të korrupsionit, ndërsa çdo i treti person i ri konsideron se pikërisht korrupsioni është motivi kryesor për t’u bashkuar dhe për të kontribuar në luftën kundër veprimeve korruptive. Vetëm katër për qind e të rinjve konsiderojnë se kjo situatë i detyron të bëhen pjesë e zinxhirit të korrupsionit. Këtë e ka treguar analiza e bërë nga Unioni Rinor në të cilën kanë marrë pjesë më shumë se 440 të rinj nga i gjithë vendi.
“Luftën kombëtare të deritanishme kundër korrupsionit të rinjtë e vlerësojnë me dysh, ndërsa inkurajon fakti që gati dy të tretat e tyre (64 për qind) kanë deklaruar se deri më tani nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në aktivitete korruptive. Të pyetur për atë si e identifikojnë korrupsionin, të anketuarit e rinj në përqindje më të madhe kanë deklaruar se kjo parqet “para në indeks për profesorin, profesoreshën” (57 për qind), një e treta se janë punësime partiake dhe përqindja më e vogël se janë “kafeja dhe kuti çokollatash për mjekun” (7 për qind), përkatësisht “dhuratë në vlerë deri 1.000 denarë” (3 për qind)”, kumtoi Unioni Rinor.
Sipas analizës, të rinjtë, më së shumti u pengon korrupsioni në fushat e drejtësisë (58 për qind), shëndetësisë (27 për qind) dhe administratës shtetërore (18 për qind), derisa më së paku e identifikojnë si problem me policinë (7 për qind). Pothuajse një numër identik prej tyre thanë se janë të njohur me kanalet përmes të cilave mund të luftojnë korrupsionin me ata që deklaruan se nuk kanë informacione të tillë.
Gjithashtu, për të rinjtë është më e rëndësishme që liderët të jenë vendimtarë dhe të drejtë (mbi 50 për qind), më tej transparentë (mbi 15 për qind) ndërsa më së paku duan të jenë autoritativë (6 për qind).
Analiza është zbatuar nga Unioni Rinor në periudhën nga prilli dheri në qershor të këtij viti, me mbështetjen e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) dhe NED.

