Në Kuvend fillon debati për propozimin francez, fjalim do të ketë edhe Von der Leyen

Shkup, 14 korrik – Para deputetëve në Kuvend sot do të jetë propozimi francez, ndërsa paraprakisht në seancë plenare fjalim do të ketë edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen.

Kryetarja e KE-së, Fon der Lajen do të ketë paraqitje para Kuvendit, në korniza të seancës parlamentare të 80-të, në të cilën është paralajmëruar se të ftuar janë edhe nga korri diplomatik. Pas përfundimit të seancës, Kuvendi do ta mbajë edhe seancën e 81-të, ku deputetët do të debatojnë për Informacionin për përmbajtjen e propozim-korinizës negociuese për hapjen e bisedimeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, të propozuar nga ana e presidencës së Francës me Këshillin e BE-së më 30 qershor të vitit 2022, me çka do të duhet edhe të miratohet konkluzionet, në fakt udhëzimet që do t’i sugjerohen Qeverisë.

Në lidhje me pritshmëritë nga seanca e sotme në Kuvend, në rend të ditës së cilës është propozimi francez, kryeministri Dimitar Kovaçevski në intervistë për MIA-n dje deklaroi se nga deputetët priten të mendojnë si burrështetas, si përfaqësues të popullit dhe jo vetëm të partisë.

“Për vendimin në Kuvend, pres diskutim të frytshëm dhe thelbësor. Pres që deputetët të jenë në lartësinë e detyrës që kanë përpara dhe të mendojnë si burrështetas dhe me maturi, siç u ka hije, si përfaqësues të popullit dhe jo vetëm të partive politike”, deklaroi Kovaçevski.

Më tej Kovaçevski theksoi se fillimisht do të hapet diskutim.

“Diskutimi në Kuvend është kontribut i madh për debatin e hapur dhe njoftimin e opinionit me të gjitha detajet, me synimin për të miratuar vendim të informuar dhe burrështetas. Ne që kur e morëm propozimin nga presidenca franceze në Qeveri, e thamë se po hapim një proces të gjerë konsultativ në të cilin, natyrisht, do të përfshihen të gjitha institucionet dhe palët e interesuara. Në atë proces u përfshinë partnerët e koalicionit, ekspertët, mediat, organizatat e shoqërisë civile, partitë opozitare, Presidenti i shtetit dhe tani, si i fundit, Kuvendi. Në Kuvend fillimisht do të hapet një diskutim, e më pas do të miratohen konkluzionet, me të cilat Qeveria do të detyrohet të veprojë në përputhje me disa parime nga të cilat nuk do të lejohet të devijojë, dhe e gjithë kjo me qëllim të mbrojtjes së pozicioneve që janë më të rëndësishmet për ne si shtet në gjithë këtë proces”, deklaroi Kryeministri Kovaçevski.

“Në këtë drejtim, LSDM-ja bën përpjekje që të arrihet propozim i konkluzioneve që do të ishin të pranueshme për të gjitha palët dhe që do të hapin rrugën për pranimin e propozimit dhe do të mundësojnë fillimin e bisedimeve”, theksoi kryeministri Kovaçevski.

Ambasadori holandez në vend Dirk Jan Kop, dje në Shkup deklaroi se për Evropën është mirë që Maqedonia e Veriut të jetë anëtare e BE-së.

“Interesat e Holandës në Maqedoninë e Veriut janë shumë të thjeshta. Dëshirojmë prosperitet dhe stabilitet dhe për këtë shkak nuk shohim alternativë për Maqedoninë e Veriut përveç BE dhe NATO. Duhet të jeni në NATO dhe duhet të jeni në BE. Kjo është mirë për Maqedoninë e Veriut, kjo është mirë për Holandën dhe kjo është mirë për Evropën”, deklaroi dje ambasadori holandez në vend, Dirk Jan Kop.

Hyrja në BE, potencoi Jan Kop, është proces i bazuar në merita, por nuk bëhet fjalë vetëm thjeshtë për rrumbullakësimin e asaj që është arritur, por edhe të veprohet dhe të zbatohen reformat.

“Vetëm një shembull. Kur negociatat do të vijnë në kapitullin për tarifat dhe doganën, vendi do t’i kalojë pothuajse menjëherë. Më shpejtë se e pritura dhe ka shumë fusha në negociatat me BE-në ku Maqedonia e Veriut është nxënësi më i mirë, krahasuar me vendet tjera nga Ballkani Perëndimor dhe kjo duhet të jetë burim i optimizmit, dhe jo Bullgaria”, deklaroi Jan Kop.

Në lidhje me mundësinë që Bullgaria ta bllokojë çdo hap të vendit në negociata, ambasadori tregoi se sipas tij, puna e vetme e rëndësishme për këtë vend është t’i fillojë negociatat.

Lideri i opozitares VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski, theksoi se nuk do të votojë për ndryshimet e Kushtetutës, ndërsa nuk do të votojnë as përfaqësuesit e LSDM-së pasi që do ta shohin Protokollin të cilin do ta nënshkruajë Bujar Osmani, deklaroi dje në fillim të marshit protestues nën moton “Ultimatum, jo faleminderit”.

“Vazhdojmë aty ku mbetëm. Thamë se e tërë ajo që do të ndodhë këto ditë që janë para nesh në Parlament paraqet farsë të zakonshme, thelbi është në këtë ndërtesë këtu. Ndërkaq, thelbi është se ata që janë në këtë ndërtesë këtu tashmë u dakorduan për atë që e quajnë propozim të fundit të modifikuar, ndërsa në thelb nuk është asgjë më shumë se sa goditje e drejtpërdrejtë ndaj identitetit maqedonas. Ata janë njerëzit të cilët do të mbeten në kujtesë në historinë maqedonase si njerëz të cilët e shitën identitetin maqedonas për t’i ruajtur kolltuqet e veta edhe ndonjë muaj”, tha mes tjerash Mickoski.

Sipas tij, ajo që do të ndodhë këto dy ditë në kuadër të Parlamentit, siç tha, është farsë e zakontë sepse vetëm 41 vota janë të mjaftueshme për të ashtuquajtura konkludime apo ajo copë letre të miratohet.

“Unë me të vërtetë nuk di tjetër çfarë të them përveç se duhet të thonë ‘JO’ në momentin e fundit. Do të përsëris edhe njëherë, ajo që ofrohet nuk është fillim i negociatave për Maqedoninë. Kjo që po ofrohet është fotografim nga Brukseli, për t’i filluar negociatat nevojitet të ndryshohet Kushtetuta, ndërsa ne si VMRO-DPMNE qartë dhe zëshëm thamë se Kushtetuta nuk do të ndryshohet edhe përkundër spekulimeve të disa shërbëtorëve dhe të paguarve të pushtetit se ekzistuakan struktura të këtilla, të atilla në parlament”, theksoi lideri i VMRO-DPMNE-së.