Kovaçevski mirëpret Mishelin, siguron mbështetje për qëllimin strategjik

Shkup, 5 korrik – Propozimi evropian për fillim të negociatave për Maqedoninë e Veriut i përfshin të gjitha pozicionet dhe vërejtjet e Maqedonisë së Veriut dhe se negociatat mund të fillojnë menjëherë pas miratimit të tij. Propozimi parasheh gjuhë të pastër maqedonase, të barabartë me gjuhët e tjera në vendet anëtare të BE-së, potencoi në takimin e sotëm kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kryetari i Këshillit të Evropës, Sharl Mishel.

Siç informoi shërbimi qeveritar për shtyp, në takim, nga ana e kryetarit të Këshillit të Evropës Mishel edhe njëherë u potencua mbështetja dhe angazhimi i Bashkimit Evropian për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut, duke cekur se këto janë momente kyçe për përparimin e shtetit tonë nga aspekti ekonomik, politik dhe sociologjik.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se mbështetja e Bashkimit Evropian në procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut është me rëndësi të veçantë për shtetin në përmbushjen e qëllimit themelor strategjik, e ai është anëtarësimi i barabartë në BE.
Me atë rast kryeministri Kovaçevski në takim potencoi se gjatë ditëve të kaluara propozimi nga kryesimi francez u diskutua në takimet konsultative me liderët e koalicionit qeveritar, me korin diplomatik, sektorin qytetar, me përfaqësues të opinionit të ekspertëve dhe mediumet, si dhe me partitë opozitare.

Në kuadër të vizitës, kryetari i Këshillit të Evropës Mishel do të marrë pjesë në mbledhjen e sotme qeveritare, e më pas me kryeministrin Kovaçevski do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp për mediumet.